E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të urtët e PS me Ramën: Të korrektohet sistemi, kujdes me aleancat

Nga një mbledhje e Këshillit Politik

Kreu socialist mbledh Këshillin Politik të Partisë Socialiste.

Kreu socialist, Edi Rama, mblodhi dje Këshillin Politik të PS-së, me të cilët ndau mendime rreth reformës zgjedhore dhe koalicioneve të ardhshme të kësaj partie. Gjatë takimit, bashkëbiseduesit mbështetën kërkesën e përsëritur të partive aleate për korrektim të sistemit zgjedhor. Takimi i djeshëm ishte vazhdim i takimit të zhvilluar të hënën e shkuar, kur pas tri orësh diskutime, anëtarët e Këshillit Politik nuk arritën të ezauronin të gjithë axhendën e asaj dite. Sipas pjesëmarrësve në takim, korrektimi i sistemit do tu jepte më shumë motivim partive aleate të koalicionit socialist, por dhe partive të reja që pritet të krijohen. Sistemi aktual, sipas grupit të të urtëve, penalizon partitë e vogla, favorizon dy partitë e mëdha, por në të njëjtën kohë përbën dhe një padrejtësi ndaj votave të marra për koalicionin. Sipas diskutantëve, vota e shqiptarëve duhet të ketë të njëjtën peshë elektorale si në qarkun e Kukësit, ashtu dhe në qarkun e Tiranës. Në takimin e djeshëm morën pjesë ish-presidenti Rexhep Meidani, ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, anëtarët e Kryesisë socialiste Namik Dokle dhe Arta Dade, deputeti Ethem Ruka, anëtarët e Asamblesë Kombëtare Ylli Bufi, Maqo Lakrori, Luan Hajdaraga e Sabit Brokaj. Në mbledhjen e djeshme munguan Pandeli Majko, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej disa javësh, dhe anëtari i Asamblesë Kombëtare, Bashkim Zeneli, i cili mësohet se ndodhet jashtë shtetit.
Koalicionet
Një tjetër temë e takimit të djeshëm ishin dhe koalicionet e ardhshme. Kreu socialist ka kërkuar nga anëtarët e Këshillit Politik se çmendim kishin ata për mënyrën se si duhet forcuar koalicioni aktual me partitë që janë përbërëse tradicionale të tij dhe mundësia e zgjerimit të tij me parti të reja. Pjesëmarrësit në takimin e djeshëm, si ish-presidenti Meidani, ashtu dhe profesor Pëllumbi, këmbëngulën në ndërtimin e një marrëdhënieje të hapur, të sinqertë dhe korrekte me aleatët aktualë, ata tradicionalë të PS, duke përfshirë këtu socialdemokratët, Demokracinë Socialiste, PSV 91, si parti të mirëfillta të majta. Diskutantë të tjerë e kanë vënë theksin në përfaqësimin korrekt nga ana e Partisë Socialiste në Komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore, ku interesat e tyre, për shkak se nuk janë parti parlamentare, të mbrohen sipas vendimeve të marra mes tyre. Gjithashtu, në diskutime është hedhur ideja e studimit të kujdesshëm të aleancave edhe me partitë e tjera, por jo ato me drejtim të djathtë, sepse sipas tyre, kjo nuk do ta tkurrte Partinë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme. Në mbledhjen e shkuar, profesor Pëllumbi, në diskutimin e bërë rreth mënyrës se si duhet të jetë opozitëbërja e PS një vit para zgjedhjeve të përgjithshme, ka kërkuar prezantimin e alternativës në publik. Në periudhën kur qeverisja ka degraduar dhe jemi vetëm një vit e gjysmë para zgjedhjeve parlamentare, akuzat për korrupsion, klientelizëm, uzurpim të pushteteve ndaj qeverisë dhe Berishës nuk mjaftojnë për tu bërë të besueshëm para shqiptarëve. Kjo nuk mjafton. Vetëm kështu ne do të rikthejmë besimin te shqiptarët dhe të marrim votën e tyre, mësohet të jetë shprehur profesor Pëllumbi.

Presidenti
Mbledhja e ardhshme e Këshillit Politik në PS do të bëhet javën e fundit të muajit mars. Kjo do të jetë dhe axhenda normale e funksionimit të këtij këshilli. Në mbledhjen e ardhshme, një nga çështjet që do të trajtojë dhe sugjerojë grupi i të urtëve, do të jetë dhe Presidenti i ri i Republikës. Mbi çparime duhet të ngrihet kërkesa e PS-së për Presidentin konsensual dhe si duhet kërkuar ky konsensus? Do të jenë pyetje që do të marrin përgjigje në tryezat e ardhshme. Ndoshta në përfundim të këtij diskutimi, i cili ndoshta nuk do të mbyllet me një mbledhje, do të kemi identikitin e Presidentit të ri që pritet të propozojë Partia Socialiste.

Majko në SHBA
Anëtari i Kryesisë socialiste, Pandeli Majko, mungoi edhe dje në mbledhjen e Këshillit Politik. Majko ndodhet prej disa javësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetëm pak ditë më parë, Majko, i cili priste të kualifikohej për një pozicion të lartë në hierarkinë drejtuese të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, mori përgjigje negative, duke u skualifikuar. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, ka përzgjedhur turken Cihan Sultanoglu si administratoren e re të Zyrës Rajonale për Europën dhe ish-vendet sovjetike. Për këtë pozicion ishin në garë mbi 40 kandidatë, ndërsa përvoja dy herë kryeministër e Majkos dhe përballimi i krizës së Kosovës nuk ishin të mjaftueshme për tu pranuar në këtë post.

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›