E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të varfrit dhe invalidët nuk marrin "rrogë", pa karta

Më të varfrit në vend do të përballen me sanksione, në rast se nuk pajisen me karta brenda afatit të përcaktuar nga qeveria. Familjet pa të ardhura, të papunët, por edhe invalidët nuk do të marrin pagesat e tyre mujore, nëse nuk paraqesin fotokopjen e kartës së identitetit. Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Viktor Gumi, ka nxjerrë dje një urdhër të posaçëm për këtë çështje, që u është shpërndarë të gjitha zyrave ku tërhiqet ndihma ekonomike, pagesa e paaftësisë, si dhe ajo e papunësisë. Në këtë urdhër të ministrit Gumi thuhet se: kryefamiljari së bashku me anëtarët e familjes mbi moshën 18 vjeç, të cilët aplikojnë për të përfituar ndihmë ekonomike gjatë muajit qershor 2009 dhe nuk kanë pasaportë, duhet të paraqesin fotokopjen e kartës së identitetit pranë administratorëve shoqërorë të seksionit të ndihmës ekonomike dhe shërbimeve shoqërore në bashkinë/komunën ku kanë vendbanimin. Një detyrim i tillë është edhe për personat me aftësi të kufizuara që nuk kanë pasaportë, në mënyrë që të përfitojnë pagesën e muajit qershor 2009. Ky sanksion është i vlefshëm edhe për personat që marrin pagesë papunësie dhe nuk kanë pasaportë. Përfaqësuesit zyrtarë të Ministrisë së Punës konfirmojnë se "ky urdhër u është bërë me dije të gjitha strukturave në nivel qendror dhe rajonal të Shërbimit Social Shtetëror, Shërbimit Kombëtar të Punësimit, si dhe çdo njësie vendore, duke kërkuar prej tyre zbatimin korrekt të tij". Inspektorët rajonalë janë udhëzuar të ndjekin zbatimin e urdhrit dhe të raportojnë, mbi numrin e personave që kanë aplikuar për karta identiteti, të cilët përfitojnë mbështetje ekonomike nga shteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›