Te vegjlit ne tryeze per reformen zgjedhore

Partitë politike parlamentare dhe ato që gjenden jashtë përfaqësimit në Kuvend, do të mblidhen nesër në një tryezë të posaçme për të diskutuar mbi problematikën që shoqëron reformën zgjedhore. Në tryezën e thirru nga kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Meidiu dhe kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, do të paraqitet një paketë propozimesh, të cilat do t’i kalojë për shqyrtim në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore. Pika kryesore, e cilat do të diskutohet dhe gjen mbështetjen e krerëve të partive të vogla politike do të jetë korrektimi kombëtar i sistemit aktual zgjedhor. Sipas propozimit, përmes korrektimit kombëtar, synohet që vota e çdo zgjedhësi të shkojë në detinacionin inicial e jo të tjetërsohet, si pasojë e sistemit zgjedhor. Po ashtu, në draftin që do u paraqitet për tu nënshkruar nga këto subjekte politike, rëndësi i është kushtuar edhe çështjes së pragut elektoral. Propozohet që për partitë pragu kombëtar të jetë 2%, ndërkohë që për koalicionet të jetë 4%.
Në këtë tryezë janë thirrur për të marrë pjesë edhe krerët e dy partive kryesore. Ndërkohë që kreu i PS-së ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen, lideri demokrat, Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e kësaj treyeze për shkak të angazhimeve, të parashikuara prej kohësh, por do të jetë një tjetër përfaqësues i kësaj partie në tryezë.
Partitë e vogla politike, vlerësojnë si tepër të rëndësishme që komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore të marrë në konsideratë kërkesat e tyre.