E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të verbrit e Elbasanit, kërkesa në veshë të shurdhër

Të verbrit e katër rretheve të Qarkut të Elbasanit protestojnë përballë Prefekturës së Elbasanit. Rreth 500 anëtarë të kësaj shoqate, pa llogaritur po aq shoqërues të tyre, dje paradite kanë "zënë" derën e Prefekturës së Elbasanit, pa ditur se drejtuesit e saj nuk kishin "nge" për t‘i pritur, për shkak të festimeve qeveritare në kryeqytet. Nën drejtimin e nënpresidentit të shoqatës së të verbërve të Shqipërisë, për rreth një orë, protesta ka pasur për qëllim kërkimin e të drejtave të tyre. Shoqata ka hartuar një peticion me pesë kërkesa. Kërkesa bazë e tyre lidhet me pagesën e verbërisë, sipas statusit të kësaj shoqate, që llogaritet me 50 për qind të pagës mesatare të një punëtori. Të verbrit janë të pakënaqur nga vendimi i ndryshuar më 18 qershor të vitit 2008, që e çon bazën e pensionit të tyre në 6 mijë lekë. Pas kësaj, ata kërkojnë indeksimin e pagës së tyre në raport me rritjen e çmimeve në vend dhe raportin e rritjes së pagave në sistemin buxhetor. Nga ana tjetër, protestuesit kërkojnë edhe strehimin gradual të tyre, bazuar në një ligj qeveritar të vitit 2001, që e favorizon këtë shtresë. Integrimi i tyre në shoqëri sipas aftësive, është një pikë tjetër e peticionit. Sakaq, për mediat, krerët e shoqatës kanë shpërndarë një formular, ku, sipas tyre, shteti i detyrohet secilit prej anëtarëve të kësaj shoqate edhe rreth 6 mijë lekë, që nuk ua ka dhënë sipas vendimeve qeveritare që rrjedhin nga statusi i kësaj shoqate. Në përfundim, drejtuesit e protestës kanë paralajmëruar një grevë urie në sheshin e "Bezistanit" në Elbasan, në mesin e këtij muaji, për të kërkuar nga qeveria "Berisha" garanci dhe realitet në pagesën e invaliditetit, sipas kategorive dhe trajtimin social të tyre si gjithë të tjerët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›