E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strugë, shqiptarët ankohen për prezencë të madhe policore

Shqiptarët e Strugës kanë bojkotuar zgjedhjet presidenciale, duke votuar vetëm në nivel lokal. Ata kanë lënë bosh kutitë për Presidentin e shtetit maqedonas, duke i bashkuar votat pa dallime partiake, për t‘i dhënë një mandat të dytë kandidatit të BDI-së Ramiz Merko. Për Presidentin nuk është votuar në asnjë nga vendvotimet ku drejtohen shqiptarët. Procesi në Komunën e Strugës ka ecur normalisht, por ajo që është konsideruar si incident ka qenë prania e forcave të shumta policore. Prezenca e policisë ka qenë më e lartë se në zgjedhjet e 22 marsit. Raundi i dytë i balotazhit mes kandidatit Ramiz Merko të BDI-së dhe Fijat Canovskit të PAE-së është karakterizuar nga prezenca e madhe e uniformave të përqendruara, për të siguruar vendvotimet nga incidentet. Por në fakt, nga ana e palëve, ka pasur pretendime për forcat speciale, pasi kanë qenë më shumë të pranishëm në vendvotimet ku votojnë shqiptarët. Sipas kandidatit të BDI-së, Ramiz Merko, kjo prani e madhe e policisë është një panoramë jo demokratike e shtetit maqedonas me premisa për shtim të presioneve ndaj votuesve, ndërkohë që për kandidatin Fijat Canovski kjo është konsideruar si një situatë normale për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike. Megjithatë, në vendvotimet maqedonase nuk ka pasur forca policore. Në orën 19:00, pas mbylljes zyrtare të vendvotimeve, janë mbajtur procesverbalet në çdo qendër. Komisioni Komunal Zgjedhor bëri të ditur se në Strugë, pjesëmarrja e votuesve ka qenë 52 për qind, me të paktën 30 mijë votues nga 57371 të regjistruar në lista. Në Strugë kanë ardhur rreth 400 emigrantë vetëm për t‘i dhënë votën kandidatit shqiptar, i cili në raundin e parë zgjedhor siguroi një diferencë me të paktën 3000 vota më shumë se kundërkandidati maqedonas Canovski. Pas grumbullimit të materialeve nga të gjitha vendvotimet, Komisioni Komunal Zgjedhor do të shpallë mëngjesin e së hënës rezultatin zyrtar për Komunën e Strugës dhe fituesin e saj. Në Strugë kanë qenë gjithsej 78 vendvotime. Në raundin e parë zgjedhor, pjesëmarrja në votim arriti në 51 për qind.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›