E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimi i kodit elektoral, partitë e vogla duan sistemin e mëparshëm

Partitë e vogla në vend, pjesa dërrmuese e të cilave nuk i’a dolën të përfaqësohen në parlamentin e ardhshëm shqiptar, që starton më 4 shtator, i kërkojnë dy partive të mëdha në vend, ndryshimin e ligjit zgjedhor, për të garantuar qëndrueshmërinë e mazhorancës qeverisëse. Kreu i PAD-së, Neritan Ceka, shprehet se për të bërë votën më të sigurt, është e nevojshme që komisionerët të jenë në depolitizuar.
 
TIRANE - Partitë e vogla të cilat mbetën jashtë dyerve të parlamentit në katër vitet në vijim, shprehen të entuziazmuara për mundësitë e ndryshimit të kodit zgjedhor. Pas angazhimit të shprehur nga Partia Demokratike, se është e gatshme të negociojë përsëri me Partisë Socialiste dhe njëherazi edhe me partitë e vogla, për të bërë ndryshimet e nevojshme në kodin zgjedhor.
Ndërsa jeta politike në vend duket se ka heshtur në prag të negociatave për formimin e qeverisë së re dhe të Kongresit të jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, partitë e vogla që u dëmtuan nga proporcionali rajonal, i aplikuar në zgjedhjet e 28 qershorit, shprehin se ndryshimet e paralajmëruara në kodin e zgjedhjeve, të bëjnë të mundur rikthimin e sistemit të mëparshëm, të mazhoritaro-proporcionalit. Presidenti i PAD Neritan Ceka deklaron se administrimi i votës duhet bërë nga komisionerë të depolitizuar, për të shmangur kështu problemet e evidentuara në këtë pikë të zgjedhjeve.
Një prej aleatëve të selisë blu në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, Neritan Ceka u shpreh dje se sistemi proporcional rajonal, nuk arriti dot të garantojë stabilitet brenda mazhorancës. Sipas Cekës, sistemi zgjedhor me të cilin u votua më 28 qershor, bën të vështirë krijimin e mazhorancës qeverisëse dhe stigmatizon formacionin ekzistues.
“U faktua se ky sistem nuk mund të garantojë stabilitetin e duhur dhe nuk ruan frymën. Nuk u arrit formimi i qeverisë, pasi një parti e vetme nga një krah politik nuk siguroi numrat e nevojshëm. Ndaj, në sajë të këtij sistemi u bë e vështirë ndërtimi i qeverisë.
Mendoj se sistemi duhet të zbatohet në mënyrë korrekte dhe rikthimi te sistemi mazhoritaro-proporcional është mundësia e vetme, për të rritur qëndrueshmërinë brenda mazhorancës dhe njëherazi rikthimin e partive të vogla në parlament dhe në këtë mënyrë ofrohet stabiliteti politik”, u shpreh Ceka. 
Ai theksoi më tej se ndryshimi i sistemit kërkon edhe konsensusin e Partisë Socialiste. “Ndryshimi i sistemit është pjesa më e vështirë sepse kërkon 94 vota, meqë sistemi aktual është fiksuar në Kushtetutë. Dhe kjo mund të arrihet nga dy partitë e mëdha politike, si rrjedhim dhe një ndryshim në kodin elektoral, do të përcaktohet nga interesat e këtyre partive. Në të ardhmen nëse do të qëndrojë ky sistem nuk ka asnjë kuptim të qëndrojnë me partitë e vogla, partitë e vogla duhen konturuar brenda blloqeve sepse sistemi i përjashton ato nga konkurrenca”, tha Ceka.
LSI ka vendosur si kusht kryesor për pjesëmarrjen në koalicionin qeverisës, përfshirjen e saj në KQZ, duke garantuar në këtë mënyrë një anëtar në institucionin përgjegjës të administrimit të zgjedhjeve si dhe në komisionet zgjedhore të niveleve të dyta dhe të treta.     
Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani shprehet kundër ndryshimit total të kodit zgjedhor, i cili u aplikua për herë të parë në 28 qershor. “Ne rreshtuam në mënyrë maksimale transparencën për shkak të kodit, ne zvogëluam në mënyrë maksimale ankesat, për shkak të kodit dhe ne arritëm të mbyllim procesin zgjedhor për herë të parë brenda afateve ligjore për shkak të përcaktimeve të këtij kodi. Nuk do të isha në parim ‘pro’ ndryshimit në themel, ndërsa jam ‘pro’ ndryshimit për ato që praktika tregoi se mund të ishin më mirë”, tha Arben Ristani.
Është ende herët për të mësuar se cili do të jetë fati i kodit zgjedhor, të miratuar së fundmi. Por që prej vitit 2000 në asnjë prej 6 zgjedhjeve të mbajtura gjatë kësaj periudhe nuk është përdorur i njëjti ligj zgjedhor.
Kësisoj, partitë e vogla, e quajnë të domosdoshëm ndryshimin e kodit zgjedhor. Ata e shohin të zymtë të ardhmen nëse në fuqi mbetet ky ligj zgjedhjesh. Duke u bërë pjesë e debatit për një ndërhyrje rrënjësore në kod, që synon ndërrim total sistemin në proporcional kombëtar me prag 2 për qind, përfaqësuesit e partive të vogla, të mbetur jashtë parlamentit, për legjislaturën e ardhshme, deklarojnë se zgjidhjen në dorë e ka vetëm partia më e madhe e opozitës, ajo socialiste.

Nuk do të marrin pjesë në zgjedhje për 5 vjet, nëse nuk shlyejnë borxhet

KQZ, penalizim partive që nuk kthejnë paratë

Sipas KQZ-së, mos kthimi i parave nga partitë që nuk siguruan mbijetesën politike në parlamentin e ri, janë të detyruara të kthejnë pranë këtij institucioni shumat e vëna në dispozicion në fillim të fushatës. Kreu i KQZ-së Arben Ristani, paralajmëron grupimet politike se rrezikojnë mospjesëmarrjen në zgjedhjet e tjera       
   
TIRANE - Përveç penalizmit financiar për fushatat e ardhshme 5 partitë në borxh me KQZ-në, do të përjashtohen nga të gjitha garat elektorale për 5 vjet nëse refuzojnë të kthejnë brenda muajit lekët e fushatës. Sipas kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ky është dënimi që kodi parashikon për subjektet që morën fondet nga KQZ, por nuk arritën të siguronin asnjë mandat për në parlamentin e ri. Kështu deri në 31 gusht, Aleanca Demokratike, Agraro-ambientalistët, Partia Demokristiane, Demokracia Sociale dhe ajo Social Demokrate, duhet të kthejnë në KQZ 12.7 milionë lekë.
“Në rast se nuk i kthejnë këto fonde atëherë nuk do të marrin financime nga buxheti i shtetit, për pesë vitet e ardhshme, por dhe nuk do të lejohen të garojnë në zgjedhjet e ardhshme, në rast se sipas ligjit nuk do të kthejnë këto fonde të cilat janë marrë dhe janë të detyruara t’i kthejnë”, u shpreh Arben Ristani, kreu i KQZ-së.
Ndërkohë, këto ditë KQZ do të hedhë dhe shortin për ekspertët kontabël që do të hetojnë financat e partive politike gjatë, para dhe pas 28 qershorit.
Sipas nënkryetares së Komisionit Qendror në tetor pritet dhe zbardhja e financimeve të fushatave, proces pas të cilit zgjedhjet e 28 qershorit do të mund të quhen përfundimisht të mbyllura.
“Për nga procedurat që jep kodi shpresoj që deri në muajin tetor ne të kemi një përmbyllje dhe të këtij aktiviteti çka përbën dhe tërësisht përmbylljen e të gjitha problematikave zgjedhore të vitit 2009”, u shpreh Dëshira Subashi.
Disa nga partitë e paralajmëruara për të kthyer paratë në KQZ, janë shprehur se nuk do ta bëjnë një veprim të tillë, ndërkohë që pjesa tjetër është treguar e gatshme, për të bashkëpunuar me institucionin kushtetues, të administrimit të zgjedhjeve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›