E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre mënyrat orientuese për shitjen e truallit të shtëpisë

Autori i Lajmit: red.
Për të gjitha kategoritë e cilësuara si të pastreha, qeveria ka përcaktuar metodikën orientuese për llogaritjen e sipërfaqes së banesave për efekt të shitjes së truallit të pajisur me infrastrukturë. Sipas udhëzimit të ri, llogaritja e sipërfaqes së banesave që përfitohet nga shitja e truallit të pajisur me infrastrukturë, sipas shkronjës "b" të pikës 14 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 35, datë 24.1.2007, bëhet sipas njërës prej metodave që ka të bëjë me kombinimin e tyre. Për efekt të kryerjes së vlerësimeve sipas tri metodave, subjekti që zbaton programin, ngre komisionin e vlerësimit të tregut. Mes tyre janë metoda e krahasimit, ajo e përqindjes dhe ajo e kostos. Metoda e krahasimit bazohet në krahasimin e raporteve që rezultojnë nga këmbimi i truallit me sipërfaqe ndërtimi në zonën përreth truallit, që do të zhvillohet dhe nxjerrjen e një mesatareje aritmetike. Në vëzhgimin e tregut të këmbimit të tokës me sipërfaqe ndërtimi, komisioni i vlerësimit i referohet treguesit të shfrytëzimit të truallit dhe numrit të kateve të objektit. Këta tregues duhet të jenë në ngjashëm me ato të projektit që do të zhvillohet në truallin në fjalë. Për vëzhgimin e tregut, subjekti që zbaton programin kërkon informacion nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të patundshme. Vlera mesatare e përqindjes së këmbimit të tokës me sipërfaqe ndërtimi, përdoret si nivel "dysheme" për shpalljen e konkurrimit për subjektet e interesuara. Metoda e përqindjes aplikohet kur nuk disponohen të dhënat e tregut sipas metodës së parë. Komisioni llogarit vlerën e truallit sipas njërës prej mënyrave të përcaktuara në pikat 4-8 të vendimit nr. 35, datë 24.1.2007. Bazuar në studimin urbanistik, koston mesatare të ndërtimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe shpenzimet e tjera të projektit, nëse ka, llogaritet vlera e investimit. Llogaritet përqindja që zë vlera e truallit në raport me vlerën e projektit, ku në vlerë projekti futen të gjitha shpenzimet, përfshi edhe vlerën e truallit. Kjo përqindje shumëzohet me sipërfaqen totale të ndërtimit për të përftuar sipërfaqen që i takon subjektit pronar i truallit. Sipërfaqja që rezulton nga ky veprim, konvertohet në numër apartamentesh, bazuar në normativat e strehimit.

Përcaktimi i metodës së kostos

Metoda e kostos përdoret në mungesë të të dhënave sipas metodës së parë dhe si alternativë krahasuese me metodën e dytë. Komisioni llogarit vlerën e truallit sipas njërës prej mënyrave të përcaktuara në pikat 4-8 të vendimit nr.35, datë 24.1.2007. Bazuar në çmimet mesatare të shitblerjes së apartamenteve në zonat përreth, llogaritet sipërfaqja e ndërtimit që do të siguronte institucioni shtetëror që zbaton programin, me shumën e përfituar nga shitja e truallit, të vlerësuar sipas gërmës "a". Kjo sipërfaqe ndërtimi, e konvertuar në apartamente sipas normave të strehimit, i kërkohet subjektit privat të sigurohet nga ndërtimi. Në rastet kur katet e para të objektit të banimit janë parashikuar mjedise shërbimi, sipërfaqja që këmbehet vlerësohet veçmas nga ajo e banimit. Për metodën 1 dhe 2 sipërfaqja e mjediseve të shërbimit llogaritet, duke shumëzuar sipërfaqen e këtyre mjediseve me përqindjen që ka rezultuar nga të dhënat e tregut sipas metodës 1, raporti Vt/Vi, sipas metodës 2. Për metodën 3, sipërfaqja e mjediseve të shërbimit që shkon në favor të subjektit shtetëror që zbaton programin është subjekt i negocimit të palëve.

Çmimi i blerjes së apartamenteve

Çmimi i blerjes së apartamentit në tregun e lirë është në varësi të strukturës dhe sipërfaqeve korresponduese të apartamentit që do të gjejë familja në treg. Në rastin kur familja gjen një apartament me një strukturë më të vogël nga ajo që i takon, vlera korresponduese e kredisë i referohet vlerës faktike të apartamentit që gjen familja. Kështu, nëse apartamenti që ajo ka gjetur në treg vlerësohet 3 500 000 lekë, ajo përfiton një kredi në masën prej 2 250 000 lekë. Mundësitë e saj janë që të vërë në Hipotekë apartamentin dhe të përfitojë një kredi prej 2 250 000 lekë, ose të vërë në Hipotekë një pasuri tjetër (p.sh. apartamentin e prindërve) më të lartë dhe të përfitojë një kredi në masën prej 3 000 000 lekë. Kjo familje nuk mund të pretendojë për një kredi në masën që do t i takonte sikur të blinte një apartament me strukturë 2+1.

Listat dhe numri i kontratave të kreditimit

Listat përmbajnë emrin e kryefamiljarit dhe strukturën e familjes, sipas çertifikatës familjare të muajit dhjetor 1992 dhe strukturën e apartamentit që përfiton. "Bazuar në numrin e kontratave të kreditimit që mund të lidhen nga banka, kjo e fundit njofton radhën e paraqitjes pranë zyrave për lidhjen e kontratave, sipas renditjes të listave të dërguara nga EKB-ja", thuhet në udhëzim. Gjithsesi, lista e familjeve e miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak, brenda kuotave që përcakton çdo vit MPPTT, bazuar në buxhetin vjetor, nuk është e nevojshme t i dërgohet bankës me të cilën është nënshkruar marrëveshja me Ministrinë e Financave dhe atë të Punëve Publike apo Entit të Banesave, pasi me këtë udhëzim përcaktohet që kjo procedurë nuk ndiqet në rastin e familjeve që jetojnë si qiramarrës në banesa pronë e subjekteve të shpronësuara.

Kësti i kredisë që do të paguhet prej këtyre kategorive

Nëse familja gjen një apartament me vlerë më të vogël nga kufiri maksimal i përcaktuar për vlerën e banesës, edhe niveli minimal i të ardhurave do të ulet. Me anën e udhëzimit të përbashkët të Ministrisë së Financave dhe asaj të Punëve Publike, nënshkruar me Bankën Tregtare përkatëse ndër kriteret minimale që duhet të plotësojë aplikanti është që masa e subvencionit nuk mund të jetë më e madhe se vlera e banesës. Gjithashtu, përfituesi duhet të jetë i klasifikuar në listat e përfituesve, duhet të plotësojë kushtet dhe kriteret e bankës së përzgjedhur për këtë lloj kreditimi, si dhe duhet të ketë të ardhura mesatare minimumi 8 mijë lekë për person në muaj. Gjithashtu, nëse do të vendoset dhënia e kredisë, kësti që duhet të paguajnë personat nuk duhet të kalojë 30 përqind të totalit të të ardhurave.
Ky lajm është publikuar: 10/08/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›