E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji antiduhan, si ndërhyri zv/ministri për anulimin e gjobës

Në ditën e parë të punës, task-forca e ligjit antiduhan ka kryer 102 kontrolle dhe ka vendosur 7 gjoba në Tiranë. Drejtori i kësaj task-force Roland Shuperka theksoi dje gjatë një konference për shtyp se ky aksion do të karakterizohet nga transparenca dhe toleranca zero ndaj subjekteve që nuk do të zbatojnë ligjin.
Favorizimet
Sipas tij nuk do të lejohet asnjë lloj favorizimi nga askush. Të gjithë janë të barabartë dhe të detyruar ta zbatojnë ligjin antiduhan. Askush nuk do ti shpëtojë penalizmit. Pavarësisht miqësive apo ndërhyrjeve që mund të bëjnë subjekte apo persona të caktuar për të falur gjobat. Kjo nuk do të pranohet, ne do të zbatojmë porositë e ministrit Tavo për zbatimin e ligjit antiduhan. Ne kemi kryer 102 kontrolle dhe kemi vënë 7 gjoba në kryeqytet, por aksioni është shtrirë në të gjithë vendin. Kemi pasur një konflikt në Vlorë me një pronar lokali por dhe kjo është zgjidhur. Kemi pasur ndërhyrje edhe nga titullarë për falje gjobash siç ndodhi me një zv/ministër që kërkoi ti hiqej gjoba një lokali në Tiranë, por sigurisht që kjo nuk u pranua nga grupi task-forcë. Ne nuk falim gjoba, ne vëmë gjoba, edhe pse kjo nuk është qëllim në vetvete, por pjesë e sanksioneve të ligjit, tha ndër të tjera dje Roland Shuperka, koordinator i task-forcës antiduhan.
Inspektorët
Sipas Shuperkës penalizimet nuk do të jenë vetëm për baret dhe restorantet por edhe për vetë inspektorët të cilët mund të përfshihen në korrupsion. Ky aksion është një provë dhe për inspektorët. Nëse çdonjëri prej tyre thyen rregullat duke abuzuar apo duke bërë favorizime për gjobat atëherë do të largohet menjëherë nga puna, tha më tej Shuperka.
Konfliktet
Kreu i kësaj Task-Forcës, Roland Shuperka tha se për herë të parë kontrollet dhe paralajmërimet kanë nisur dhe në rrethe të tjera të vendit. Në disa subjekte nëpër rrethe inspektorët e task-forcës janë konfrontuar dhe me pronarët e bareve, por kjo thekson Shuperka nuk do ta pengojë punën. “Të gjitha rrethet e Shqipërisë, duke filluar që nga Vlora, Elbasani, Fieri dhe gjithë qytetet e tjera kontrollet janë  bërë dhe paradite dhe pasdite. Një rast në Vlorë ka pasur problem, inspektorët janë konfrontuar me një pronar lokali. Kemi pasur telefonata nga subjekte të ndryshme që në filan zonë ne po e zbatojmë dhe qytetarët po ikin nga kafeja dhe po shkojnë në kafen përballë dhe në bazë të telefonatës e verifikuam dhe kemi vendosur dhe gjobë”, tha Shuperka. Masa e gjobës vazhdon të jetë 50 mijë lekë dhe nëse ajo nuk paguhet brenda 10 ditëve menjëherë do të ndërhyjë përmbarimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›