E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të zbatohet me përpikëri marrëveshja për lëvizjen e lirë

Ministria e Diasporës në Kosovë ka kërkuar nga pala serbe të zbatojë me përpikëri marrëveshja për lëvizjen e lire. Përmes një deklarate për mediat kjo ministri ka shfaqur shqetësimin e saj në lidhje me ngjarjet e fundit të zhvilluara në kufirin e Kosovës dhe të Serbisë, respektivisht në pikën kufitare Merdare.
Familje të tëra u detyruan në këtë mot të ftohtë të presin në radhë të stërgjata për kalimin e kufirit, si pasojë e mosrespektimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë nga ana e palës serbe, thuhet në një reagim të kësaj ministrie.
“Një realitet i tillë për Ministrinë është i papranueshëm dhe i patolerueshëm në cilëndo situatë dhe rrethanë. Ministria e Diasporës ndjehet e indinjuar me mos efikasitetin e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë nga ana e palës serbe, e cila i detyron palët e përfshira ta respektojnë të drejtën më fondamentale të njeriut - atë të lëvizjes së lirë”, theksohet më tej në reagim.
Arsyetimi i zyrtarëve serbë se radhët shkaktohen nga koha që duhet për përpunimin e dokumentave , sipas kësaj ministrie, nuk është bindës. Ministria e Diasporës ka apeluar te të gjitha palët e përfshira që të veprojnë me përgjegjësi të plotë dhe ta zbatojnë me përpikëri marrëveshjen për lëvizjen e lirë, si dhe në të ardhmen mos të përsëritën pamje të tilla të shëmtuara, të cilat e pasqyrojnë fizionominë e një shteti që ka mbetur i ngecur në mendësinë e të së kaluarës dhe rob i paragjykimeve, të cilat ushqehen nga politika që më së paku pasqyrojnë aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por ta dëshmojë të njëjtën pjekuri politike të cilën e tregon pala kosovare.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›