E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telashet e bashkimit

Përderisa vdekja e Kim Jong Ilit ka shtuar shpresat e disa njerëzve në Seul, të pakta janë ata që dëshirojnë dhe janë të gatshëm të flasin për realitetin e ftohtë: bashkimi i papritur mes dy Koreve mund të jetë traumatik për të dy vendet.

Një Kore e vetme, e ribashkuar, për një kohë të gjatë ka qenë ëndërr e njerëzve në të dy anët e kufirit më të fortifikuar në botë. Koreja e Jugut ka madje edhe një ministri në nivel të kabinetit, për t’u përgatitur për atë ditë.

Dhe përderisa vdekja e Kim Jong Ilit ka shtuar shpresat e disa njerëzve në Seul, të pakta janë ata që dëshirojnë dhe janë të gatshëm të flasin për realitetin e ftohtë: bashkimi i papritur mund të jetë traumatik për të dy vendet.

Çfarëdo shembje e Koresë së Veriut dhe bashkimi i ngutur, thonë analistët, mund t’i jap fund klasës në pushtet në Phenian, duke vërshuar njëkohësisht Seulin me refugjatë, duke nxitur kështu një barrë të rëndë financiare për jug-koreanët, të cilët së fundi kanë përjetuar ngritjen e vendit të tyre si një fuqi në Azi.

Vëzhguesit e rrethanave në Gadishullin e Koresë nuk po parashikojnë ndonjë shembje apo ndonjë bashkim të papritur, siç ishte bashkimi i Gjermanisë. I biri i udhëheqësit të vdekur të Koresë së Veriut dhe pasardhësi i tij, Kim Jong Un, po konsolidon me shpejtësi pushtetin dhe ka siguruar përkrahjen e qeverisë dhe të ushtrisë.

Megjithatë, ndryshimet e jashtëzakonshme në Korenë e Veriut, pas vdekjes më 17 dhjetor të Kim Jong Ilit, njeriut që për 17 vjet ka udhëhequr vendin me grusht të hekurt, kanë ngjallur sërish ëndrrat e shumë njerëzve për një Kore të bashkuar në jug. Dhe jo vetëm ëndrrat e atyre,l të cilët kanë përjetuar jetën para ndarjes së Koresë në zonat e okupuara nga amerikanët dhe sovjetikët, në vitin 1945.

Kim Jong Uni i edukuar në Zvicër është më pak alergjik se sa i ati i tij, kur bëhet fjalë për përqafimin e ideve të reja nga bota. Kjo do të ndihmonte në zbutjen e izolimit dhe do të hapte shtegun për ribashkim, thotë Bae Sang Il, një punëtor në Seul.

Shumë jug-koreanë e mbështesin idenë e bashkimit dhe duket se janë më të brengosur për shpenzimet e mëdha, të cilat do ta shoqëronin bashkimin.

Që të dy vendet flasin për ribashkim, por ato kanë qëndrime të ndryshme për atë se si do të duhej të dukej ky bashkim.

Koreja e Veriut e sheh si një federatë me dy shtete, me secilin që do të kishte ligjet dhe rregullat e veta, por si një Kore.

Koreja e Jugut dhe aleati i saj, SHBA-ja, me gjasë nuk do të pajtoheshin me asgjë që do të ishte më pak se një demokraci liberale, apo së paku një shtet, i cili do të lëvizte në atë drejtim.

Nga këndvështrimi i Seulit, hapat e ngadalshëm dhe të kujdesshëm janë vendimtar për një ribashkim të kujdesshëm. Bashkimi i papritur do të ishte një goditje e rëndë për ekonominë dhe shoqërinë e Koresë së Jugut.

Koreja e Jugut, kushtetuta e së cilës ngërthen në vete synimin e ribashkimit, do të kalonte shumë më mirë, nëse ngritë gradualisht në këmbë ekonominë e Koresë së Veriut, theksojnë analistët.

Megjithatë, pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë, zyrtarët në Seul do të përballen me probleme të mëdha. Ata me gjasë do të ishin të detyruar të hapnin ekonominë e Koresë së Veriut për tregti dhe investime, të përmirësonin me shpejtësi standardin jetësor të miliona njerëzve, të kontrollonin rrjedhën e veri-koreanëve në jug dhe të ri-trajnonin burokratët në Korenë e Veriut, për të ndihmuar në udhëheqjen e vendit sipas politikave të reja.

Të gjitha këto gjëra do të kushtonin. Modeli gjerman është përmendur shpesh për dy Koretë, por ekzistojnë dallime të rëndësishme.

Gjermanët në perëndim në pjesën më të madhe e kanë paguar llogarinë e ribashkimit, pas shembjes së komunizmit, duke e ngritur infrastrukturën e Gjermanisë Lindore në standard të ngjashëm me atë të Perëndimit. Megjithatë, për dallim nga Koreja e Veriut, Gjermania Lindore nuk e ka kundërshtuar idenë e ribashkimit, e madje as mundësinë e adoptimit të sistemit kapitalist. Analistët theksojnë se udhëheqësit e Koresë së Veriut nuk do ta përqafonin aq shpejtë sistemin, i cili do t’i linte ata pa pushtet.

“Ribashkimi do të ishte i tmerrshëm për elitën në pushtet në Phenian dhe do të ishte i mrekullueshëm për popullin e Koresë së Veriut, edhe pse do të kishim edhe një periudhë traumatike të përshtatjes”, thotë Ralph Cossa, president i Forumit të Paqësorit CSIS, një organizatë me seli në Havai.

“Për udhëheqësit e Koresë së Veriut, bashkimi me Seulin do të nënkuptonte burg apo diçka edhe më të keqe”, shton ai.

Megjithatë, historia ofron disa skenarë potencial për ardhmërinë e Koresë së Veriut. Përkundër urisë, izolimit ndërkombëtarë dhe skepticizmit të jashtëm, Koreja e Veriut në vitin 1994 mbijetoi vdekjen e Kim Il Sungut, themeluesit të shtetit dhe babait të Kim Jong Ilit.

Prandaj ribashkimi, së paku për momentin, duket një ëndërr e largët. Dhe kjo ndoshta është një gjë e mirë dhe pozitive për Seulin. /AP/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›