Të zemëron? Shkruaj një të kundërt.
Po Homeri, Platoni, Plini a Virgjili, kujt i morën leje? Po shumë popuj çfarë e keqe i gjeti nga liria e shprehjes dhe e mendimit? Po historia e tyre përse është aq e pasur? Ka ardhur kjo nga vuajtjet a bëmat e tyre apo kanë qenë të lirë të shkruanin e të mendonin? Të botosh shkrime e libra me ide që sfidojnë ato ekzistuese, do të thotë ta kesh kuptuar lirinë. Dhe kjo duket se dëmton vetëm mendjet e mbyllura, ashtu si drita e ndezur natën sfidon vetem errësirën.
Sot duket se është një pjesë e publikut që ka marë përsipër rolin për të çensuruar, sepse kritika denigruese është edhe çensurë. Kur del një libër i ri, që shpreh ide ndryshe, apo kur autori i përket një krahu tjetër ose edhe më keq, kur nuk i përket ndonjë partie, tronditja ndodh, zërat thërrasin “Skandal!” dhe sharjet pasojnë. Nuk të pëlqen? mos e përfill. Të lodh? mos e lexo, do të thoshte Volteri. Të zemëron? shkruaj një të kundërt.
Astrit LULUSHI (SHBA)
1.
Çfarë dëmesh mund të sjellë një libër? Do të ishte qesharake të pretendohej se 80 “veprat” e Enver Hoxhës të përkthyera e shpërndara nëpër botë i sollën asaj ndonjë tronditje, ashtu si miliona libra a shkrime në përkrahje të një regjimi nuk mundën ta shpëtonin atë. E njëjta gjë mund të thuhet për Main Kampf-in e Hitlerit, libër që vazhdon të shitet. Librat e njerëzve të tillë nuk ka pse të digjen, grisen e as të hidhen poshtë. Ato janë dëshmi e kotësisë së atyre që në fund humbën, por jo nga librat.
Duket se librat janë si trumptetat. Ato kurrë nuk vrasin, kurrë nuk fitojnë beteja, as nuk shkaktojnë rrezimin e mureve, me përjashtim të Xherikos. Përse atëherë kjo frikë nga librat? Kur në to shtypet ndonjë mendim i ri a paradoks, nuk mungon as zemërimi se “vlerat po shkatërrohen”, duke ringjallur kujtimet e së kaluarës kur thirrjet e vrazhdta ”Mbylle gojën!” jehonin ”Mos mendo!”.
Po Homeri, Platoni, Plini a Virgjili, kujt i morën leje? Po shumë popuj çfarë e keqe i gjeti nga liria e shprehjes dhe e mendimit? Po historia e tyre përse është aq e pasur? Ka ardhur kjo nga vuajtjet a bëmat e tyre apo kanë qenë të lirë të shkruanin e të mendonin? Të botosh shkrime e libra me ide që sfidojnë ato ekzistuese, do të thotë ta kesh kuptuar lirinë. Dhe kjo duket se dëmton vetëm mendjet e mbyllura, ashtu si drita e ndezur natën sfidon vetem errësirën.
2.
Shkalla e lirisë së mendimit matet nga mënyra se si pritet ai mendim, njësoj si njeriut në prag mënyra si i hapet dera tregon se sa i mirëpritur është. Para dy dekadave ishte shteti, diktatura që çensuronte çdo ide. Sot duket se është një pjesë e publikut që ka marë përsipër këtë rol, sepse kritika denigruese është edhe çensurë. Kur del një libër i ri, që shpreh ide ndryshe, apo kur autori i përket një krahu tjeter ose edhe më keq, kur nuk i përket ndonjë partie, tronditja ndodh, zërat thërrasin “Skandal!” dhe sharjet pasojnë. Nuk të pëlqen? mos e përfill. Të lodh? mos e lexo, do të thoshte Volteri. Të zemëron? shkruaj një të kundërt.
3.
I njohur si poet por edhe opinionist, në pamfletin e tij “Areopagitica”, më 1644 Xhon Milton argumentonte përse është e nevojëshme liria e fjalës, të cilën ai e lidhte me lirinë e botimeve. Sipas tij, atje ku ka dëshirë për të mësuar, ekziston edhe nevoja për më shume debat, më shumë shkrime e më shumë mendime të ndryshme. Ndërsa opinionin e njeriut të mirë, Milton e shihte si njohuri në përftim.
E mira dhe e keqja janë anët e së njëjtës medalje. Ndoshta nisur nga kjo, Milton mendonte se “e keqja nuk duhej trajtuar duke eleminuar burimin e saj, sepse kjo do të sillte një zbrastësirë të madhe që nuk dihej se me çfarë do të mbushej”. Po ashtu, medalja mëdysh nuk mund të ndahet, sepse dyfaqëshe të tjera do të krijoheshin. Dhe nuk do të ishte aspak veprim i urtë që, për të shpëtuar nga e keqja, medalja të hidhej tej. Kjo do të ishte njësoj si për të eleminuar të keqen të shkatërrohej “molla”, burim i mëkatit por njëkohësisht edhe i dijes njerëzore, sipas Biblës.
Prandaj edhe mendimet e kundërta, si e mira me të keqen, me dashje a jo, duket se lindin për të bashkëjetuar.
30 Nentor 2008