E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur ligjëron e fshikullon Fishta



Kujtim DASHI
Gjergj Fishta u tërhoq vetë nga jeta parlamentare. Ai kishte qenë deputet i Shkodrës (krahu i opozitës), nënkryetar i parlamentit dhe kryetar i komisionit për arsimin e bilancin. Me kërkesën këmbëngulëse të Fishtës, vendin e tij e zuri Pater Ambroz Marlaskaj. Kur dikush e kishte pyetur për këtë veprim, Fishta i qe përgjigjur:
- Nuk mund t’i duroj dot këto parla-parla-parla të parlamentarëve tanë!..
Fishta nuk e merrte seriozisht pjesëmarrjen e partive në parlamentin e parë kombëtar, madje qeshte me ta. Në një letër të gushtit 1921, të cilën ia dërgonte Pater Pal Dodajt, ndër të tjera, thotë: Ne tani bajmë pjesë në partinë progresiste, që përbahet ma së shumti prej turqish të vjetër…”

* * *
Kur përkthyesi i shquar i “Komedisë hyjnore” etj., Pashko Gjeçi, ndiqte Liceun e Shkodrës, në mes të viteve ’30 të shekullit XX, pat shkruar një artikull për Pater Gjergj Fishtën lidhur më “Lahutën e Malcisë”, i cili u botua në revistën “Hylli i dritës”. Kur doli revista, P. Gjeçi së bashku me disa shokë të tij, shkuan dhe ia çuan atë Pater Gjergjit në studion e tij.
Pasi e pa artikullin, Pater Gjergji pyeti:
- Kush është ky që paska shkruar për mua?
Ndërsa P. Gjeçi qëndronte pa folur dhe i turpshëm në fund të dhomës dhe shokët i treguan se ishte ai, Pater Fishta tha:
- Ajo grimca atje paska shkruar gjithë këtë artikull?

* * *
Në Troshan njëri po ndërtonte një shtëpi e re. Punëtorët qenë ulur për pushim dhe po përgatiteshin të hanin drekën. Ndërkohë, aty pari kalon Pater Gjergj Fishta. Punëtorët ngrihen më këmbë dhe përshëndetën me të. Pastaj ulen rrafshit e, para se të fillojnë ngrënien, bëjnë kryq. Kur shikon Fishta se punëtorët kishin shtruar përpara vetëm bukë, qepë të njoma dhe djathë, u thotë:
- Për çfarë po hani, bijtë e mi, s’keni nevojë me ba kryq, se sa për kaq, besa, ua ka borxh vetë Perëndia!

* * *
E kishte dërguar Pater Gjergji në Troshan Gaspër Saraçin, i mbiquajtur “Piktori”, me vizatue kishëzën e Kuvendit t’atjeshëm dhe kishte porositë kujdestarin me ia mbajtë dorën me ndonjë shishe raki të mirë, se ia kishte ënda fort dhe punonte më me dëshirë. Mirëpo rakija vinte me masë, pak në fund të një shisheje të zezë.
Mbas një kohet, shkon Pater Gjergji me pa punën dhe sheh se engjujt e kishin ngjyrën si zeshkane. Sillet dhe e pyet Gaspër Saraçin:
- More Gaspër, ne feja na thotë se engjujt janë të bukur fort, bardhosha, kurse këta po më duken të zezë e të mbrapshtë.
- Po ti a ke dashtë engjuj të Parajsës apo Zadrimës?! Në daç t’i baj edhe vjenez e parisian, por këta janë troshanas…
Pater Gjergji kishte mbetë harû, donte me qeshë, por s’i bahej.
- Po bane një, njaty, për seri!
Gaspri rrok penelin, tavolocën e vizaton një engjull për bukuri.
- Po kësaj si i thonë?
- Ata që kam pikturue n’elterë i kanë ngjarë atij lajkos (shërbëtorit), që ma binte rakinë dhe këtë bojë e kanë marrë prej shishes së zezë, asaj me dy gisht raki në fund.
- Po besa?!... Bâ me dhanë urdhën vetë me pru shishen e bardhë plot e për plot, si bahen engjujt atëherë?
- Zbardhohen krejt, - qeshi Gaspri.

* * *
Pater Gjer Fishta ka kallxue:
“Çoj Selia e Shenjtë një vizitatuer me pa se si e kalojshim ditën na Fretnit dhe Jezuitët. Ma së pari ai vojt ndër Jezuit dhe nisi me i pyet tuj marrë shënim:
- Naden, kur çoheni ça bani?
- Lutena.
Po mandej? Shkojmë në kishë. Po mandej? Hamë sillën. Po mandej? Lutena. Po mandej? Xâmë dhe mësojmë. Po mandej? Lutena. Po mandej? Hamë drekën. Po mandej? Xâmë dhe mësojmë. Po mandej? Lutena. Po mandej? Xâmë dhe mësojmë. Po mandej? Lutena. Po mandej? Hamë zemrën. Po mandej? Lutena. Po mandej? Shetisim. Po mandej? Lutena. Po mandej? Flemë.
Vizitatori mori shënim dhe u nis të nesërmen te Fretnit. Aty nisi me pyet At Provincialin:
- Ça bâni nadje, kur zgjoheni?
- Fill e në nevojtore.
- Po mandej?
- Prap aty.
- Po mandej?
- Aty e aty.
- Mâ xhanëm tri herë rresht?
- Ishte e dijtun. Posi kujtove ti? Kur jezuitët mos të shkojnë asnjëherë, na
duhet ne me e plotësue këtë nevojë…

30 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›