E Diel, 1 Nëntor 2026

Të zgjedhësh aty ku nuk ka dallim!!

>Nga Besi BEKTESHI
Natyrisht që 2009-ta erdhi, dhe ky është viti që ka si pjesë kryesore politike, pikërisht zgjedhjet e tilla, të cilat do të kryhen në një model të ri dhe kod të ri zgjedhor.
Janë disa opinione të mëdha të dala nga disa zyra dhe mendime evropianiste që vazhdojnë të deklarojnë se nuk ka rëndësi çfarë do të zgjidhet, por si kryhen zgjedhjet. Ka edhe opinione që thonë se çfarë do që të zgjedhësh po e njëjta situatë do të jetë mbas tyre. Por ka edhe modele të sloganeve përtej të majtës dhe të djathtës ose nuk ka rëndësi partia etj., etj. Raportet politike të 2008-ës, kanë qenë të tilla sidomos mes PD-së dhe PS-së që kanë treguar jo ndarjen e qartë të tyre politikisht. Kur shkohet zakonisht për të blerë këpucë apo edhe makinë, por edhe ndonjë teshë nuk bëhet asgjë e veçantë, por zgjidhet në mes disa alternativave që paraqiten dhe natyrisht që vendoset ajo që jep afërsinë më të madhe me kërkesat dhe mundësitë e tua. Nuk ka shumë ndryshim edhe në zgjedhjet politike në këtë rast. Nuk është banale fare po të thuash se është njësoj. Midis dy këpucëve njëra prej igeliti dhe tjetra lëkure, patjetër që njerëzit me mënd në kokë dhe një sasi lekësh në xhep që lejojnë blerjen, të gjithë do të merrnin pikërisht këpucët e lëkurës. Nejse halli i madh është kur nuk ka as alternativë dhe për më tepër mungojnë edhe lekët. Bie fjala dikur ka pasur vetëm një model pardesyje dhe mbase ka ndërruar ngjyra e saj. Ka qenë e bukur se kur dilje në rrugë  shikoje në xhiro dhjetëra njerëz që kishin veshur po të njëjtën pardesy që kishe ti dhe kjo ishte tepër, por tepër entuziazmuese. Mirëpo po kthehem të problemi kryesor i 2009-ës.
Si të zgjedhësh në këtë vit elektoral?
Në fakt si PD-ja dhe lidershipi i saj Sali Berisha, dhe PS-ja dhe lidershipi i saj Edi Rama, kanë shumë të përbashkëta. Në fakt janë të dy në pushtet si individë.
Kryeministri është i tillë se ka pasur mandatin e popullit, por edhe Rama është i tillë se drejton Bashkinë më të fuqishme të Shqipërisë dhe pikërisht atë vend ku janë edhe investimet më të mëdha. Pak ndryshim kanë dhe në lëvizje letrash dhe investime me akses në komandat e duhura për të pikërisht këto investime. Nuk ndjehen kaq pozitë - opozitë sa njëri të ketë çelësat e kashtës dhe tjetri të gjithë oborrin me magazina dhe mullarë. Aspak! Me që ra fjala si sistemin zgjedhor dhe kodin zgjedhor i kanë prodhuar bashkë dhe pa asnjë farë tejpamje diskutimi dhe sistemimi demokratik të gjerë.
Aty nuk është parë mirë (aspak) se kë mund të zgjedhësh si më sqimatarë demokracie.
Pastaj është kuptuar qartë se proporcionali rajonal është një ligjësi dypartiake që ka rritur partitokracinë absolute dhe rolin po absolut të lidershipit në majë të piramidave respektive. Jua kanë hedhur të gjithëve edhe për shkakun e daljes nga rreshti të të vegjëlve, por edhe në saj të maskarallëqeve të bëra dikur me mazhoritarin, i cili përfundoi në dushkaristik madhor. Në këtë pikë, nuk ka pasur ndonjë dallim të veçantë.
Po, i gjithë ky sistem i ndryshuar të çon edhe në përfundim të të gjithave që janë vetë zgjedhjet. Në qoftë se PS-ja flet për Gërdecin dhe rrugën e Kosovës, ajo që shikohet është se askush nuk çan shumë kryet, pse flitet. Biles jo vetëm kaq, por edhe shkon puna të konsiderohen arritje të larta pikërisht ato që në mënyrë opozitare kritikohen dhe sulmohen. Aty ku flitet dhe nuk dëgjohet apo nuk reflektohet është njësoj si të mos jesh.
Si të jesh në mungesë. Akoma më keq kur edhe për çështjet e bërtitura si Fazlliçi ka dhe mënyra drejtësie që japin edhe drejtim dështues për akuza të thëna dhe të bëra çdo ditë. Pastaj në qoftë se djathtas nuk ka parti që trashinzërin, sepse e kanë çuar veten të jenë soprano, majtas akoma më keq, në momente imitimi me krahun tjetër edhe ka ndonjë zë baritoni, por nuk duan që të dëgjohet. Nuk ka ndonjë ndryshim edhe në këtë gjë. Fshat më fshat shkon Rama për të biseduar me popullin dhe po ashtu fshat më fshat dhe komunë për komunë shkon edhe Berisha dhe jo vetëm dialogon, por edhe pret shirita. Më e bukura është se Berisha kritikon PS-në e para 2005-ës kur mori pushtetin, por në një farë mënyre edhe Rama e kritikon, pikërisht këtë moment. Duke ditur se tashmë rendisja në lista do të jetë krejtësisht në dorë të lartësive politike Berisha - Rama, në brendësi të grupeve parlamentare, në kryesitë, dhe anëtarësi ku ka elementë që duan të futen në këto lista, është ulur krejtësisht individualitetidhe liria e të qenit kryelartë dhe i gojës deri në demokraci. Tani ka memecë dhe servilë deri në mërzitje, sepse kanë shpresën që të futen në listë zgjedhjesh apo në lista pushtetesh. Ndoshta në ditët e fundit, kur dikush nuk do të futet në listë, (sepse nuk ka hall pa ndodhur kjo) mbase ka për të pasur zëra të ashpër, por që nuk do të kenë më asnjë rëndësi. Pastaj janë njësoj edhe si refraktarë në momente qeverisje dhe mungese të demokracisë apo edhe të shembullit të tillë. Me sa duket janë lodhur duke parë individë dhe grupe të dalin nga rreshti dhe tanimë kanë larguar pikërisht atë që quhet tolerancë partiake brenda për brenda subjektit. PD-ja ka konsum qeverisës, por ka edhe investime të mëdha që i shet përditë mediatikisht dhe realisht. E bukura është se dhe PS-ja ka konsum qeverisës (aty ku është) dhe njerëzor, sepse të rinjtë flasin si Edramistë, kurse të vjetrit si memecistë.
Në fakt është e vështirë të zgjedhësh në këto zgjedhje. Kushedi duhet të gëzohemi, se ato do të bëhen të lira dhe të ndershme. Edhe kjo ka mundësi të ndodhë, sepse aty ku nuk ka shumë dallim, së paku deri tani, çdo gjë do të jetë e lirë dhe e ndershme, sepse pikërisht nuk ka shumë dallim. Çrëndësi ka pastaj të luftosh me votë për ndryshimin apo për përtej të majtës dhe të djathtës sepse të duket e njëjta supë. Mirëpo ka dhe një sekret kjo gjë!! Mbase  kësaj radhë po i drejtohen një shtrese më sqimatare dhe shumë e profesionalizuar në dallime majtas djathtas dhe sidomos në praktika demokratike dhe për pikërisht këtë shtresë po e bëjnë edhe të gjithë lojën e votës në këtë vend. Ky është me sa duket edhe targeti i deritanishëm për qershorin e 2009-ës.
Kushedi ka për të qenë interesante kjo??! Kushedi!!!

Last Updated on Tuesday, 06 January 2009 22:48

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›