Teatër për gjakmarrjen në Itali
Fëmijët flasin për gjakmarrjen në Itali. Pas më tepër se dy muajsh provash aktorët e vegjël të Qendrës Kombëtare Kulturore të Fëmijëve nisen sot drejt Italisë, për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar aktrimi për këto mosha, që zhvillohet nga 26-31 korrik. Shfaqja që do vihet në skenën italiane, do të interpretohet në gjuhën e vendit pritës. Pjesa shqiptare do të shfaqet në natën e fundit të festivalit. Pjesa “Na ishte njëherë...një zemër”, me temë gjakmarrjen, është shkruar dhe përkthyer në italisht nga Ardita Repishti (drejtoresha e QKKF), regjia është realizuar nga Nigda Dako, ndërkohë që për kolonën zanore është punuar nga Agim Rrëza. Sipas drejtoreshës Repishti, fëmijët aktorë janë zgjedhur mes dhjetëra fëmijëve që janë pjesë e programit “Iliria”, talente që, veç aktrimit, janë këngëtarë, balerinë e instrumentistë.