E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Xhesi Xhejms në Millenium

 

Për ata që i grabiste dhe terrorizonte, për familjet e atyre që kishte vrarë, ishte thjesht një kriminel. Por për artikujt sensacionalë të gazetave dhe romaneve që portretizonin “Bandën Xhejms”, Xhesi Xhejms ishte objekt mahnitjeje dhe adhurimi. Midis admiruesve të tij, ishte dhe Robert Ford, një djalosh idealist dhe ambicioz, që ia kishte kushtuar jetën, shpresës se një ditë do të kalëronte me idhullin e tij. Por s’do ta kishteimagjinuar kurrë se do të hynte në histori si “burracaku i poshtër” që e qëlloi Xhesin pas krahëve. “Vrasja e Xhesi Xhejms nga burracaku Robert Ford” është filmi që nis të shfaqet në Kinema Millenium 2. Në 160 minuta interpretojnë Brad Pitt, Casey Affleck, Sam Shephard, etj. “The Assassination of Jesse James…” është një dramë uestërn, e përshtatur nga romani me të njëjtin titull i shkrimtarit Ron Hansen. Filmi mban regjinë e Andrew Dominik, i cili u mbetet besnik fakteve të librit, duke rikrijuar vetëm me fantazi raportin mes banditit dhe njerëzve të tij. “Gjithçka që Jesse James ka bërë, është rezultat i luftës civile në fund të së cilës ai dhe njerëzit e tij vendosën që ta mbajnë si mënyrë jetese, duke grabitur trena e banka. Në ato kohëra komunikacionet ishin shumë të ngadalta dhe shumë prej njerëzve nuk e kishin idenë se konflikti kishte mbaruar. Jesse James përfaqësonte shtrirjen e luftës civile”, - është shprehur Sam Shephard, që luan vëllain e madh të Xhesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›