E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë, gjyqtarët amerikanë, leksione Kuvendit

Në një deklaratë të përbashkët, katër gjyqtarët amerikanë i sugjerojnë Kuvendit seanca dëgjimore të drejta për kandidatët

TIRANË- Në një deklaratë të përbashkët, katër gjyqtarë amerikanë i kanë kërkuar Kuvendit që seancat dëgjimore për secilin kandidat të bëhen në mënyrë të drejtë dhe të ekuilibruar, për të siguruar që kandidatët më të kualifikuar të pranohen në Gjykatën e Lartë. “Seancat dëgjimore të Parlamentit për të emëruarit në Gjykatën e Lartë duhet të ngrihen mbi interesat partiake dhe taktikat akuzuese. Sulmet personale mbi të emëruarit dhe pandehmat e paprovuara nuk duhet të pengojnë kandidatët për të shërbyer në Gjykatën e Lartë. Nga ana tjetër, pandehmat shqetësuese, të cilat mbështeten mbi fakte specifike, duhet të hetohen imtësisht dhe të vlerësohen duke pasur parasysh një proces të ndershëm gjykimi. Bazuar mbi këtë funksion, Parlamenti vepron si një ruajtës i rëndësishëm dhe duhet të qëndrojë mbi politikën për të pranuar të emëruarit për në Gjykatën e Lartë, të cilët do t’u shërbejnë shqiptarëve me profesionalizëm dhe gjykime të pavarura”,- thuhet në deklaratën e pazakontë të katër gjyqtarëve amerikanë, konkretisht gjyqtarit të Qarkut të Dytë të Shteteve të Bashkuara, Xhon Uoker, gjyqtarit të Distriktit të Minesotas, Pol A.Magnuson, ish-Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shtetit të Uashingtonit, Robert Atër, si dhe Doktori në Shkencat Juridike, Këshilltar Ligjor, Rozher D.Sherard. Në deklaratën e firmosur nga gjyqtarët e mësipërm thuhet se, “të gjitha vendimet mbi emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë duhet të mbështeten në kritere dhe merita objektive, duke i dhënë vlerësimin e duhur kualifikimeve, integritetit dhe aftësisë”. Sipas tyre, duhet të ketë garanci, të cilat sigurojnë që procedurat për të emëruar gjyqtarët të jenë transparente dhe të pavarura në praktikë, në mënyrë që vendimet të mos influencohen nga arsye të tjera, përveç atyre që janë të lidhura me kriteret e përmendura më sipër. Ata kujtojnë gjithashtu se, është në tagrin dhe detyrimin e Presidentit për të bërë një hetim në mënyrë që të gjejë kandidatë të kualifikuar për t’u emëruar në Gjykatën e Lartë. “Sipas Kushtetutës dhe për të përmbushur parimet demokratike, kjo duhet të mbetet e drejta ekskluzive e Presidentit të Republikës”,- thuhet në deklaratë. Ndërsa dje, paralelisht me qëndrimin e katër gjyqtareve, Komisioni i Ligjeve kaloi pa debat, të gjashtë kandidaturat e Presidentit të Republikës për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

OJF-ve, ekspertëve të fushës, nuk u krijohen mundësitë praktike për të kontribuar për reformën

Letra, Shoqatat e Gjyqtarëve ankohen për reformën në drejtësi

TIRANË- Në të njëjtën ditë me deklaratën e gjyqtarëve amerikanë, duke u fokusuar më së shumti tek thirrja për një reformë drejtësie sa më eficiente, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Prokurorëve dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit i kanë dërguar dje një letër Presidentit të Republikës, Kryeministrit, Kryetares së Kuvendit dhe Ministrit të Drejtësisë. Duke vlerësuar vullnetin politik për të ndërmarrë një reformë të tillë, shoqatat sa më sipër, shprehin bindjen se kjo reformë është e domosdoshme, madje e vonuar. “Konstatojmë se përgatitja e reformës në drejtësi deri më sot, sidomos procesi i ligjbërjes lë mjaft për të dëshiruar. Në të ka mjaft formalizëm, mungesë argumentimi dhe mosangazhim real dhe në kohën e duhur në këtë proces të aktorëve kryesore të reformës në drejtësi, si: gjyqtarë, prokurorë, avokatë, ekspertë të jetës akademike, aktorë të shoqërisë civile dhe subjekte të tjera zbatuese të ligjeve, që janë pjesë e kësaj reforme”,- thuhet në letrën e dërguar. Madje, në të citohet se organizatave jo fitimprurëse, ekspertëve në fushë nuk u krijohen mundësitë praktike dhe nuk i jepet koha e mjaftueshme për të dhënë kontributin e tyre në kryerjen e një reforme në drejtësi, gjë që do të ndikonte pozitivisht në forcimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor. “Konstatojmë me keqardhje se metodologjia e hartimit të disa projekteve që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi, si rrjedhim i defekteve që përmendëm më lart, shoqërohet me elementë të subjektivizmit dhe interesave të ngushta sektoriale dhe konjunkturiale”,- thuhet në letër. Gjyqtarët kërkojnë gjithashtu që të mos kalojë asnjë reformë e copëzuar, por si një e tërë.

Topi dekreton emërimet e Berishës për ministra

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka dekretuar dje emërimin e kryeministrit Sali Berisha për ministër Arsimi, Fatos Beja dhe Zv/kryeministër, Genc Pollon. Në të njëjtën kohë, Topi ka dekretuar edhe lirimin nga detyra të ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka dhe emërimin në këtë dikaster të mjekes së njohur, Anila Godo. Kreu i Shtetit nuk ka vonuar shumë në dekretimin e emërimeve të Kryeministrit, duke i hapur rrugë miratimit të tyre ditën e hënë në Kuvend. Për kalimin e dekreteve duhet të paktën 71 vota në Kuvend, kuorum ky që do të ishte rrezikuar në rast se Berisha nuk do të kishte sajuar grupin më të ri me deputetët nanoistë, të cilët janë të gatshëm që të votojnë pro qeverisë së “re”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›