E Diel, 1 Nëntor 2026

Teatri Kombëtar “hap dyert” në 17 dhjetor “Kush ka frikë nga Virginia Woolf”, pas 9 ditësh

Autori i Lajmit: Gerilina kodheli
Kanë kaluar katër muaj, nga hapja e sezonit teatror, por ende në teatrin Kombëtar nuk është vendosur premiera e parë në skenë. “Kush ka frikë nga Virginia Woolf” është titulli i premierës kaq shumë të lakuar gjatë këtyre katër muajve, por fati i keq i saj “ka mbyllur” dyert e teatrit, i cili “ka mbajtur frymën gjallë” vetëm me Festivalin e të Rinjve. Peripecitë e premierës së parë dhe të vetme për TK-në nuk patën të sosur. Me gjithë vonesat e pashpjegueshme të paracaktuara për shfaqjen e parë që do të ngjitej në skenë, një grip i Eva Alikaj dhe një aksident i paparashikuar i aktores Eftjola Laçka gjatë provave e çuan këtë shfaqje në disa shtyrje të përsëritura. Teatri Kombëtar u gjet i papërgatitur për të pasur një shfaqje premierë të hapjes së sezonit dhe kështu kryeqyteti kaloi katër muaj me një teatër me “dyer të mbyllura”. Ndoshta ishte thjesht një fat i keq i regjisorit Kushtrim Bekteshi, i cili vjen për herë të parë me një shfaqje në Shqipëri, apo ndoshta një fat i keq i aktores së mirënjohur Eva Alikaj, e cila rikthehet pas 10 vjetësh në skenën e Teatrit Kombëtar... Këtë nuk e dimë, dimë vetëm se tashmë më në fund është caktuar data 17 dhjetor për vënien e kësaj shfaqjeje, “kryqëzojmë gishtat” që këto tetë ditë që kanë mbetur mos të ketë ndonjë tjetër aksident. Dilema dhe arsyetime, shtyrje dhe dyshime duket se nuk e kanë zbehur entuziazmin e trupës së aktorëve, ku pritet të spikasin emrat e Eva Alikajt, e cila u kthye nga Austria në Tiranë dhe aktorit elegant Viktor Zhusti që mbërriti nga Greqia. Pika e takimit ishte :“Whos afraid of Virginia Woolf/ Kush ka frikë nga Virginia Woolf”. Pjesa është një dramë e shkruar nga dramaturgu amerikan Edëard Albee në fillim të viteve gjashtëdhjetë, kur bota pas epokës së pasluftës u përfshi më në fund në një diskutimin civil, që i takonte një teme jo më pak të rëndësishme se lufta, mbi “seksin e dytë”. Drama është shqipëruar nga Gjergj Peçi dhe do të jetë premierë për artdashësit më 17 dhjetor 2009 në Teatrin Kombëtar. Në rolet kryesore do të interpretojnë: Eva Alikaj, Viktor Zhusti, Eftiola Laçka dhe Helidon Fino. Jerga Hribar, do të jetë skenografja kroate, e cila në bisedat paraprake me regjisorin, mendohet se ka realizuar një gjetje moderne, evropiane. Kushtrim Bekteshi, student i regjisorit Slobodan Unkovski, i cili u prezantua përpara publikut shqipfolës me dramën “Daja Vanja” vjen me këtë pjesë duke sjellë një koncept të vetin regjisorial, i cili në pak minuta bisede mund të përmblidhet në fjalët:
“Ajo që më intrigon më shumë në këtë vepër është bota e përzier, imagjinarja me realen, kufiri mes tyre mezi përcaktohet, si ndërtohen ato raportet ndërnjerëzore në një botë ku, në fakt, nuk dihet nëse është imagjinare, apo reale”. Kjo pjesë do të jetë shfaqja e tij e nëntë dhe duket se mosha e aktorëve nuk do të jetë problem për regjisorin.
“Shfaqja bëhet me bashkëpunim, por kur ka edhe emra që kanë kualitete është një ndihmesë, nuk është barrierë”. Një dramë me katër personazhe që vijnë nga festa, pastaj pinë pafund derisa shkërmoqen të katër. “Whos afraid of Virginia Woolf/ Kush ka frikë nga Virginia Woolf” është një dramë e luajtur në skenat teatrore në të gjithë Evropën.
Alikaj shprehet e kënaqur se ka mundur ta ndjekë këtë pjesë në Austri, në Volkstheatër dhe në Burgthteatër. “Kush ka frikë nga Virginia Ëoolf” ka patur realizime kinematografike të vitit 1966, me Elisabeth Teylor dhe Richard Burton, në regjinë e Mike Nichols.

Ky lajm është publikuar: 09/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›