E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teatri Kombëtar nderon aktoren Safete Rugova

Për nder të 65 vjetorit të lindjes së aktores Safete Rugova dhe 40 vjetorit të karrierës së saj si aktore, Teatri Kombëtar i Kosovës, të hënën mbrëma shfaq premierën e dramës “Nata e Helverit”, me regji të Altin Bashës dhe me tekst të dramaturgut polak Igmar Villcist. Nga Express më 05 shtator 2011 në ora 12:22

Në një konferencë për media, të dielën, drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Burbuqe Berisha, tha se kjo shfaqje do të jepet për nder të aktores sonë të njohur Safete Rugova, e cila ka dhënë një kontribut të veçantë në skenën e teatrit.

“’Nata e Helverit’ është punuar me një intensitet ndoshta jo të plotë një muaj, dhe mendoj se ekipi artistik ka bërë një punë shumë të mirë. Ne kemi parë disa herë shfaqjen dhe mendoj se për ditën e hënë ne jemi të gatshëm”, tha Berisha

Regjisori Altin Basha tha se “Nata e Helverit” është një dramë, ku autori merr një moment specifik të zhdukjes së njerëzve të hendikepuar nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Është një dramë, e cila është mbështetur në dy aktorë dhe për shkak të natyrës së saj imponon, si dhe fokus regjisorial mbi mjeshtrinë e aktorit dhe mbi problemet tjera, por që lidhen specifikisht me aktorët. Ne jemi munduar që të zbërthejmë që të imtësojmë punën tonë dhe deri në detajet më të vogla dhe sigurisht kjo nuk është një punë e lehtë e bërë në një kohë të kufizuar por gjithashtu me një dramaturgji kaq impeniative”, ka thënë Basha.

Aktorja Safete Rugova ka falënderuar Teatrin Kombëtar për nderin që i është bërë asaj me rastin e pensionimit si aktore.

“Jam shumë e emocionuar që me rastin e pensionimit të dal me një shfaqje kaq të vështirë dhe komplekse, bukur e rëndë për moshën time. Po të luaja këtë shfaqje para 10 viteve kish me qenë më lehtë. Por, megjithatë duke u mbështetur në punën e madhe që ka bërë Altin Basha dhe Lirak Qelaj, unë besoj se do të dalim faqebardhë nesër mbrëma”, tha Rugova.

Premiera e dramës “Nata e Helverit” shfaqet të hënën në Teatrin Kombëtar, duke filluar nga ora 20.00. Në këtë dramë luajnë Safete Rugova dhe Lirak Qelaj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›