Vlerat kulturore, historike, sociologjike dhe filozofike të një kleriku
Titulli: “At Giuseppe Zef Valentini albanologu më i madh i shek. XX’’
Autori: Ndriçim Kulla
Gjinia: Monografi
Shtëpia botuese: Plejad
Si botues dhe studiues, një nga punët e mia është edhe rehabilitimi në mënyra të ndryshme i elitës shqiptare, sidomos klerikëve të Veriut. At Giuseppe Zef Valentini, prifti jezuit që i kushtoi jetën Shqipërisë, është ndoshta më i spikaturi prej tyre. Më është dashur një punë e jashtëzakonshme të kapërcej paragjykime dhe smira njerëzore për ta sjellë para lexuesve shqiptarë universin e dijeve të këtij njeriu, albanolog dhe kulturolog me famë qartësisht ndërkombëtare. Mosnjohja e këtij njeriu që ka punuar në masën 100 për qind për ne shqiptarët është diçka tragjike, e që lidhet plotësisht me dënimin dhe censurimin që i bëri sistemi komunist. Përmasat e veprës së tij të përgatitur dhe botuar nën drejtimin tim dhe ato që presin për t’u botuar janë shumë të mëdha. Por paralelisht me botimin e veprës së tij ne duhet të punojmë edhe për promovimin e tij. Unë ndiej se është e domosdoshme ta bëjmë këtë. Vetëm në këtë mënyrë do bëhen të njohura ato vlera kulturore, historike, sociologjike dhe filozofike, që na përkasin ne shqiptarëve dhe për të cilat flet me shumë kompetencë puna e madhe shkencore e këtij njeriu. Pikërisht në ndihmë të këtij misioni tashmë që kemi arritur të botojmë 20 vepra voluminoze të Valentinit, (për fat të keq ende edhe sot të pa njohura mirë edhe nga elita shqiptare), përgatita për botim një monografi për të me titull “At Giuseppe Zef Valentini albanologu më i madh i shek. XX”. Mendoj se nuk është diçka shteruese, sepse kur të botohet plotësisht vepra e këtij albanologu do të kuptohet më mirë përmasa e veprës së tij dhe me siguri që do të ketë të tjera frymëzime për të, por sidoqoftë kjo është një prezantim i mirë i këtij personaliteti, që do të kontribuojë në rritjen e ndjeshmërisë për përhapjen e vlerave te tij. Me qëllimin e mirë, për t’ia bërë sa më shumë prezent botës shqiptare shembullin e një kleriku të mirë dhe shkencëtari të madh, një kopje e këtij libri i është dhuruar edhe presidentit italian, zotit Giorgio Napolitano, e shoqëruar me një letër mirënjohjeje për këtë albanofil të jashtëzakonshëm që ka dalë nga populli italian dhe ka bërë një punë të pazakontë shkencore për ne. Ndriçim Kulla