Teatri Kombëtar pranohet në Unionin e Teatrit Europian Konvencional
Petrika GROSI
Teatri Kombëtar i Tiranës është pranuar si antar me të drejta të plota i Unionit të Teatrit Europian Konvencional me qendër në Saint Etien në Francë. Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i TK-së, Kristaq Skrami, i cili pohon për mediat se në mbledhjes e radhës të ansamblesë së përgjithshme të ETC-së, në Dresden të Gjermanisë, Teatri Kombëtar Shqiptar ka marrë votat unanime për të qenë antar me të drejta të plota i kësaj organizme ku marrin pjesë 40 teatro kombëtare të 22 shteteve europiane.” Presidenti i këtij unioni, Jean Claude Berutti dhe Kristaq Skrami firmosën marrëveshjen. Nga hyrja në këtë union, Teatri Kombëtar i Shqipërisë përfiton së pari, përfshirjen zyrtare në një nga organizmat më të mëdha e më serioze të Teatrit në Europë. Ky akt e zyrtarizon shkrirjen e kufijve institucionalë kulturorë të teatrit europian. Nga hyrja në ETC Teatri Kombëtar ka mundësi më tepër për bashkëpunime të reja me teatrot e tjera, duke promovuar kështu kulturën tonë kombëtare në Europë e më gjerë dhe duke e zgjeruar gjeografinë e skenave ku shkojnë shfaqjet shqiptare.
Natyrisht, një marrëveshje e tillë do të thotë më tepër përgjegjësi për teatrin shqiptar, i cili duhet të ballafaqohet me standardet bashkëkohore europiane në të gjitha drejtimet. Drejtori Skrami, pohon se “Teatri Kombëtar, pas një viti e gjysmë në kërkim të antarësimit në këtë union të rëndësishëm europian, shkëmbimit të informacioneve, kërkesës zyrtare, observimit të veprimtarisë dhe programit të TK-së nga unioni, ka arritur me sukses që të jetë antar i ETC-së. Ky mund të konsiderohet si një moment historik për teatrin tonë.” Gjithashtu, pjesëmarrja në këtë forum ndërkombëtar mendohet që të shërbejë si indikator i kulturës për ato vende, të cilat aderojnë që të bëhen antare të Bashkimit Europian. Sipas Skramit, njohja dhe qarkullimi i vlerave me homologët tanë kudo në Europë do t’i japë impulse të fuqishme krijimtarisë së artistëve shqiptarë. Kështu, Teatri Kombëtar i bashkohet denjësisht me përvojën dhe identitetin e tij origjinal, kësaj familjeje të madhe artistike që ruan dhe respekton identitetin e çdo kombi. Por, përfshirja e TK-së në këtë union ka dhe obligimet e veta; Ne duhet të paguajmë detyrimin financiar prej 5 500 eurosh, si antar, ndërkohë që Teatri Kombëtar duhet të tregojë në të ardhmen rritjen e standardeve të tij, prurje të reja dhe nivel krijues bashkëkohor. Në anën tjetër, kështu i hapet rrugë bashkëpunimeve të reja, këmbimeve të stafeve dhe përvojave reciproke.
28 Maj 2009