E Diel, 1 Nëntor 2026

Dënohen me 5 vite burg kontraktorët e Trebickës, sot vendimi për Diverolin

Gjykata e Floridës dënon Aleks Podrizkin dhe Dejvid Pakauzin me 5 vite burgim për abuzim me fonde publike. Të dënuarit pranuan fajësinë, sot vendimi dhe për pronarin Diveroli dhe financierin Ralf Merill

Dënohen dy nga bashkëpunëtorët e Efraim Diverolit, ndërsa sot pritet vendimi nga Gjykata e Floridës për të dhe financierin e tij Ralf Merrill. Aleks Podrizki dhe Dejvid Pakauz u dënuan dje me pesë vite burg për abuzim dhe mashtrim me fondet publike ndërsa të dy të dënuarit kishin pranuar që gjatë hetimeve fajësinë e tyre lidhur me fishekët kinezë dhe kontratën me Pentagonin. Ata janë vetëdeklaruar fajtorë për akuzat për mashtrim të Qeverisë Amerikane lidhur me furnizimin e ushtrisë afgane me municione kineze, të blera nga Shqipëria. Trafiku u zbulua pas investigimit që bëri prestigjiozja amerikane “Nju Jork Tajms”, pas ngjarjes së Gërdecit që ndodhi në Shqipëri më 15 Mars të vitit 2008. Dejvid Pakauz dhe Aleksandër Podrizki pranuan të martën ne gjyqin që u zhvillua në Miami përfshirjen në një skemë për fshehjen e origjinës kineze të municioneve të marra nga Shqipëria. Në firmën AEY të Efraim Diverolit, Pakauz një ish-masazhator me profesion, ishte zëvendëspresident i firmës AEY, ndërsa Podrizki ishte agjent i kompanisë në Shqipëri. Por, Presidenti i kompanisë Efraim Diveroli dhe një partner i tij biznesi, Ralf Merrill nuk e kanë pranuar fajin dhe janë në pritje të gjyqit. AEY kishte një kontratë me Pentagonin për furnizimin me municione të ushtrisë amerikane që shërbejnë në Afganistan.
Kontrata
Administrata e mëparshme amerikane prishi kontratën me AEY-në e Diverolit, pas skandalit që u publikua në gazetën “Nju Jork Tajms” mbi municionet e vjetra për të cilit qeveria i kishte paguar firmës me bazë në Florida miliona dollarë. Pas shpërthimit të fabrikës në Gërdec ku demontoheshin municione, amerikania “Nju Jork Tajms”, zbuloi skandalin me fishekët kinezë që kompania amerikane bënte me Shqipërinë duke mashtruar Pentagonin. Aferat korruptive të trafikut të armëve pas hetimeve të bëra më pas në Shqipëri përfshinë edhe emra të lartë zyrtarësh, atë të ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha. Biznesmeni Kosta Trebicka që humbi jetën në rrethana misterioze pak muaj pas tragjedisë së Gërdecit, pak para vdekjes hodhi akuza të rënda ne lidhje me skandalin. Shtetet e Bashkuara e cilësojnë vepër penale blerjen e municioneve kineze, pas vendosjes se embargos ndaj armatimit kinez, veçanërisht fishekëve kinezë të prodhuar rreth 20 vite më parë. Pikërisht municionet e vjetra kineze, sipas një marrëveshjes ripaketoheshin në Shqipëri duke hequr etiketat kineze dhe bliheshin më pas nga kompania amerikane.
Hetimi
Sipas prokurorisë së Floridës kompania e Diverolit është regjistruar me status minoritar, çka krijonte privilegje për të fituar kontrata nga Pentagoni. Nëse një kompani i përket një grupi minoritar dhe u avantazhua gjatë garës për tenderin. Që të fitosh një status të tillë duhet të provosh se pasuria jote neto është nën 750 mijë dollarë. AEY ka fituar më shume së 50 kontrata me vlerë 298 milionë dollarë, kryesisht sepse ai ishte i regjistruar si një kompani minoritare. Akuzat dhe pretendimet e prokurorëve të Majamit në Florida e bindën gjykatën e këtij shteti për t’u hedhur prangat katër drejtuesve të kompanisë “AEY” me në krye Efraim Diverolin një vit më parë ndërsa pas disa apelimeve ata të gjithë u lanë në arrest shtëpiak. Verifikimi i municioneve të mbërritura në Afganistan dhe konfiskimi i bisedave elektronike me e-mail mes të pandehurve ka hedhur dritë për dijeninë dhe vullnetin e tyre të plotë për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tregtia e armëve. Gazeta “Albania” zbardhi për herë të parë vendimin e gjykatës, i cili ndër të tjera hedh dritë lidhur edhe me implikimin e zyrtarëve të MEICO-s në procesin e falsifikimit dhe trukimit të etiketave të municioneve.

BOX
Akuzat zyrtare mbi Efraim Diverolin dhe bashkëpunëtorët e tij

1. Në kundërshtim me ligjet e Ushtrisë Amerikane ata kanë bërë me ndërgjegje të plotë futjen e materialeve false, deklarime false dhe përfaqësime false.

Me një faturë si i prokuruar nga Shtetet e Bashkuara, ku vlera e prokurës ishte një milion dollarë, ata ngritën një skemë me qëllim që:

a. Të vidhnin dhe të dëmtonin Agjencinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara.

b. Të përfitonin para nëpërmjet deklarimeve, veprimeve dhe skemave false në shkelje të dispozitave të SHBA-ve.

2. Qëllimi i katër të pandehurve ishte të pasuronin veten e tyre duke u avantazhuar nga deklarimet dhe veprimet e tyre false, që konsistonin në manipulimin e provave që fshihnin origjinën kineze të këtyre municioneve.

3. Modalitetet dhe skema e abuzimit dhe komplotit funksiononte si më poshtë:

a) Katër të pandehurit fituan të drejtën për furnizimin me municione për Afganistanin.

b) Për të nxjerrë përfitime katër të pandehurit bënë kërkime dhe veprime për të siguruar municion të prodhuar në Kinë.

c) Për çdo dërgesë i pandehuri Diveroli paraqiste një certifikatë false, me të cilën hiqej sikur municionet ishin konform ligjeve dhe kontratës.

d) Për çdo dërgesë Diveroli siguronte certifikatë sikur këto municione ishin prodhuar nga “MEICO” në Shqipëri.

4 Pas disa dërgesave me anije Diveroli është paraqitur në selinë e Ushtrisë Amerikane duke kërkuar pagesat që i takonin në bazë të kontratës, e cila nuk parashikonte këto lloj municionesh. Ndërkohë që në datën 20 prill 2007, Aleksandër Podrizki i dërgoi një e-mail, ku tregoheshin dhe foto municionesh me etiketa kineze.

5 Në të njëjtën ditë Dejvid Pakauz i dërgon një përgjigje Podrizkit, duke i thënë se duhej të hiqte stampat kineze, pasi municionet me etiketat kineze do t’i kishin hapur telashe dhe nuk do të pranoheshin.

6 Rreth 20 prillit 2007, Efraim Diveroli i dërgoi një mesazh elektronik Departamentit të Shtetit, me anë të të cilit i kërkonte mendim nëse një firmë e prokuruar nga SHBA-të mund të kryente transport të municioneve të ndryshme të prodhuara në Kinë.

7. Rreth 23 prillit të vitit 2007, Aleksandër Podrizki i dërgoi një mesazh elektronik Dejvid Pakauzit, në të cilin Podrizki pohonte se kishte folur me zyrtarët e “MEICO”-s, ku këta të fundit i kishin thënë se ishin në pritje të përgjigjes nga Departamenti i Shtetit lidhur me lëvrimin e municioneve kineze. Nëse nuk do të aprovohej nga Departamenti, zyrtarët e “MEICO”-s ishin shprehur se do ta rregullonin këtë punë duke trukuar me bojë metalet e municioneve.

8 Më 23 prill 2007 Efraim Diveroli, me anë të komunikimit elektronik, e pyeti Departamentin e Shtetit nëse një firmë e prokuruar amerikane mund të blinte municione kineze, që kishin më shumë se 20 vite që ishin në pronësi të shtetit shqiptar.

9. Në një komunikim elektronik Diveroli i tha Dejvid Pakauzit se ky veprim nuk ishte autorizuar, ndërsa Pakauz ia kaloi dhe Podrizkit atë që Diveroli i kishte shkruar.

10. Në datën 23 prill 2007, Diveroli i dërgoi një mesazh elektronik Departamentit të Shtetit, ku këmbëngulte se firma e tij duhej të kishte të drejtën të blinte municione në një vend mik si Shqipëria.

11. Më 24 prill 2007, në një tjetër komunikim, Diveroli i shkruante Departamentit të Shtetit se do respektonte përgjigjen mohuese lidhur me kërkesën e tij.

12. Më 24 prill 2007 Diveroli i dërgon një mesazh elektronik Ralf Merrilit, ku i thoshte se kërkesa e tyre mund të aprovohej vetëm me urdhër të Presidentit të SHBA-ve, pasi ta propozonte Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

13. Rreth 25 prillit të vitit 2007, Ralf Merrilli u dërgon një mesazh elektronik Diverolit dhe Dejvid Pakauzit, ku ndër të tjera i shpjegonte se si ”pastroheshin kutitë e drurit”, ndërsa në një foto bashkëlidhur mesazhit ishte një kuti druri në të cilën shkruhej ”Made in China”.

14. Më 6 maj 2007, Ralf Merrilli, në emër të “AEY”-së, dërgoi një mesazh elektronik ku kërkonte që të negociohej një çmim më i lirë për shkak të kostos së transportit, origjinës së municioneve dhe ripaketimit. Mesazhi iu dërgua dhe Efraim Diverolit dhe Dejdvid Pakauzit.

15. Më 23 maj të vitit 2007, Efraim Diveroli udhëtoi për në Tiranë, Shqipëri.

16. Më 26 maj 2007, Diveroli i dërgoi një mesazh elektronik Dejvid Pakauzit dhe Ralf Merrillit, ku i thoshte se një çmim më i arsyeshëm ishte mundur të sigurohej.

17. Më 28 qershor 2007 Diveroli siguroi një certifikatë false sikur municionet e servirura ishin konform kontratës dhe se ishin prodhuar në Shqipëri.

18. Rreth 31 tetorit të vitit 2007, në një certifikatë konformiteti, Efraim Diveroli i paraqitej në emër të “AEY”-së si një ekzekutues korrekt i kontratës, duke shkelur në mënyrë të hapur ligjin e Titullit të 18 seksioni 37/1 për mashtrim ndaj agjencive federale.

28 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›