Sejdiu anulon viziten ne Maqedoni, shkak injorimi si president i Kosovës
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu anuloi ftesën e presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov, pasi Shkupi nuk do ta priste me ceremoni shtetërore, ashtu siç do të ndodhe me kreun e çdo shteti, duke e konsideruar këtë thjesht si një takim pune.
Lajmin u konfirmua nga zyra për informim e Presidencës së Kosovës, në njoftimin e së cilës thuhej se, meqënëse pala maqedonase e ndryshoi karakterin e vizitës zyrtare, presidenti Sejdiu nuk do të zhvillojë vizitën e planifikuar për datën 28 maj. Autoritetet maqedonase kanë deklaruar gjate ditës se presidenti i Kosovës do të pritej të enjten pa ceremoni shtetërore ku do të mungonte garda e presidentit, si dhe flamuri i Kosovës nuk do të ngrihej në shtizë, ashtu siç ndodh me pritjet e tjera ceremoniale.
Ministri Bogdanoviç, i padëshirueshëm në Kosovë
Përfaqësuesit e pushtetit në Prishtinë me ndërmjetësimin e EULEX-it i kanë ndaluar të ashtuquajturit ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç dhe këshilltarit të presidentit të Serbisë, Mllagjan Gjorgjeviç, të realizojnë vizitën e planifikuar në Kosovë. “Ata janë cilësuar persona të padëshirueshëm dhe për këtë arsye u ndalohet hyrja në Kosovë”,- bën të ditur gazeta “Veçernji Novosti”. Duke konstatuar se ky veprim i pushtetit kosovar dhe EULEX-it paraqet shkelje të të drejtave të njeriut, Bogdanoviç ka thënë se do t’i drejtohet shefit të diplomacisë europiane, Havier Solana, si dhe sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun.
Bosnjë-Hercegovina nuk do ta njohë Kosovën
Kryetari i Kryesisë së Bosnjë-Hercegovinës, Nebojsha Radmanoviç, gjatë takimit me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç ka deklaruar se ky shtet nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Radmanoviç ka thënë për mediat serbe se Kryesia e Bosnjë-Hercegovinës do të vendosë për njohjen ose mosnjohjen e një shteti. Mirëpo Kryesia, theksoi Radmanoviç, nuk ka vendime për viza dhe as nëse ndonjë individ do të hyjë në këtë shtet ose jo. Sidoqoftë, ai ka thënë se Kryesia e vendit nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, e me këtë as pasaportat e Kosovës. Ndërkaq, ka shtuar se për hyrjen e individëve të caktuar, janë përgjegjës ministritë përkatëse të cilat vlerësojnë nëse ekziston një interes i caktuar.
28 Maj 2009