Kadare viziton Prishtinën: “Koha po punon për shqiptarët”
Koha po punon për Kosovën dhe shqiptarët. Kështu është shprehur shkrimtari i madh Ismail Kadare gjatë vizitës së tij në Prishtinë. Kadare përcolli mesazhin se për të ardhur deri në këto momente, nuk ka qenë e lehtë pasi jo gjithmonë është lehtë të mbrohet e drejta. Ai i ka bërë këto komente në Prishtinë, pas takimit që pati me presidentin Fatmir Sejdiu. “Është kënaqësi të shikoj se ka njerëz që punojnë për Kosovën, për interesat e saj, i mbrojnë ato interesa, ndonëse nuk është e lehtë që gjithnjë të mbrohen interesat e një populli. Ka një paragjykim, se të mbrosh të drejtën, është e lehtë. Të mbrosh të drejtën është disa herë më e vështirë, ashtu sikurse është e lehtë për shtete të tjera që mbrojnë të shtrembrën, të mbrojnë mashtrimin. Për fat të keq, kjo ndodh dhe ne nuk mund të ndryshojmë zakonet e njerëzimit”,- tha Kadare. Më e rëndësishmja sipas Kadaresë është që koha po punon për shqiptarët dhe Kosovën. “Një gjë është e vërtetë, që Kosova ecën përpara, kombi shqiptar ecën përpara, koha punon për ta. Kur koha punon për një popull, jo të gjithë e kanë të lehtë ta kuptojnë që koha punon për ta. Madje, shpesh kujtojnë ose u krijohet iluzioni se koha nuk punon për ta ose e kundërta. Dhe, këtu ndodhin shpesh tragjedi”,- u shpreh Kadare. Ndërsa presidenti Sejdiu e konsideroi Kadarenë ambasadorin më të mirë të prezantimit të identitetet shqiptar në Europë. “E falënderoj për mbështetjen e fuqishme dhe porositë që ka dhënë në kohën e duhur, për ecjet tona dhe përkushtimin në mbështetje të procesit dhe shtetit të ri. Ai është njeriu që ka shpërthyer në 4 anët e globit në mënyrën më të mirë të mundshme”,- tha presidenti Sejdiu. Ismail Kadare, lidhjen me Kosovën e ka shprehur në shumë nga veprat dhe publikimet e tij, të cilët sensibilizuan opinionin europian në kohën kur populli shqiptar i Kosovës kalonte nëpër periudha të vështira të mbijetesës. Kadare e quan Kosovën gjënë themelore të kombit shqiptar. Ai është shprehur i kënaqur që ka gjetur gjuhë të përbashkët me presidentin Sejdiu për zhvillimet në Kosovë. “S’është hera e parë që jemi takuar bashkë, nuk është hera e parë që jemi mirëkuptuar, nuk është hera e parë që kemi pasur mendime të njëjta për Kosovën”,- thotë Kadare. I pyetur për rëndësinë e rrugës Durrës - Kukës - Prishtinë, shkrimtari i madh ka thënë se lidhjet mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë ekzistuar gjithmonë. Këto afrime, sipas tij, e kapërcejnë atë që mund të bëjë një rrugë. “Afrimi i Shqipërisë me Kosovën ka qenë, në trajta të ndryshme gjithmonë, pavarësisht sa është dukur dhe sa nuk është dukur, pavarësisht se sa është deklaruar e sa jo. Mendoj kapërcehet dukshëm ndërtimi i një rrugepasi lidhja mes shqiptarëve është diçka shumë e thellë, shumë e rëndësishme dhe shumë më e madhe”,- tha Kadare.
28 Maj 2009