Policia arreston 64 anëtarë të Mafias
Policia italiane ka arrestuar 64 anëtarë të Mafias, ndër të cilët 10 gra, në një operacion policor në Naples, njofton AFP. Disa prej tyre kanë qenë të kërkuar edhe për trafikim droge në Spanjë. Tre nga pjesëtarët e kësaj bande tashmë gjendeshin në burg. Shefi i Klanit, Xhuzepe Sarno, 50-vjeçar, që ishte në arrati që nga janari, është arrestuar më 5 prill në Romë. I vëllai Vinçenco, 38-vjeçar, është arrestuar disa ditë më parë.
PAKISTAN
Dhjetëra viktima nga një shpërthim
23 persona janë vrarë dhe dhjetëra janë plagosur nga shpërthimi që ka ndodhur në Pakistan. Zyrtarët e këtij vendi njoftojnë se 23 persona janë vrarë dhe mbi 250 të tjerë janë plagosur nga shpërthimi i një autobombe të vendosur pranë ndërtesës së një rajoni policie në Lahore. Mjeti i mbushur me lëndë shpërthyese ishte hedhur në erë nga një kamikaz. Zyrtarët thanë se persona të armatosur kishin hapur zjarr nga një automjet që kaloi pranë ndërtesës së rajonit të policisë. Kur policia iu përgjigj zjarrit, automjeti shpërtheu duke dëmtuar disa ndërtesa.
KOREJA E VERIUT
Riaktivizon impiantin bërthamor
Koreja e Veriut ka riaktivizuar impantin bërthamor për prodhimin e plutonit të pasuruar të shkallës së duhur për prodhimin e një bombe, duke bërë realitet paralajmerimët e një muaji më parë për rifillimin e punës në impiantin e vjetër. Lajmin e bëri të ditur nje media koreano-jugore. Koreja e Veriut deklaroi në prill se kishte rivënë në funksion kompleksin për nxjerrjen e plutonit në impiantin e saj bërthamor “Yongbyon” të epokës sovjetike, që ishte në proces çmontimi, sipas një marrëveshjeje gjashtëpalëshe për ndihmë në këmbim të çarmatimit.
28 Maj 2009