E Shtunë, 31 Tetor 2026

AMC jep 300 libra artistikë për bibliotekën e gjimnazit të Rrëshenit



AMC ka mbështetur ngritjen e bibliotekës së shkollës së mesme në qytetin e Rrëshenit, duke bërë të mundur pajisjen e saj me më shumë se 300 libra artistikë të autorëve shqiptarë e të huaj. Mungesa e literaturës së nevojshme për të realizuar programin mësimor, si dhe vështirësitë që hasnin nxënësit në gjetjen e saj, ishin arsyet e këtij bashkëpunimi ndërmjet AMC-së dhe shkollës së mesme në Rrëshen. Përzgjedhja e librave është bërë duke u mbështetur në kërkesat e programit mësimor dhe do të ndihmojë jo vetëm në ngritjen e nivelit të mësimdhënies, por edhe në nxitjen dhe promovimin e kulturës së leximit e dashurinë për librin te nxënësit e shkollës. Shkolla e mesme në Rrëshen ka rreth 600 nxënës dhe është e vetmja në këtë qytet. Sipas drejtorit të shkollës, z. Nik Nikolli, “librat e dhuruar do të ndikojnë ndjeshëm në edukimin e nxënësve dhe përveç kësaj, do të shërbejnë si nxitje për iniciativa të tjera brenda shkollës e për pasurimin e vazhdueshëm të saj me libra të rinj. “Duhet të falenderojmë AMC-në për këtë mbështetje, u shpreh z. Nikolli, e cila na ka mbështetur edhe më parë në projekte të tjera”. Edukimi është konsideruar si një nga shtyllat më të rëndësishme të strategjisë sociale nga kompania AMC. Duke besuar që hapi i parë drejt ndryshimit të së ardhmes është rritja e nivelit arsimor të brezit të ri, AMC ka dhënë mbështetjen e saj përmes një sërë projektesh, të cilat u adresohen hallkave të ndryshme të këtij sistemi. Kjo iniciativë është gjithashtu, vijim i kontributit për ngritjen e dhjetëra bibliotekave në shkollat nga veriu në jug, në kuadrin e projektit “Shqipëria Lexon”, por edhe në shkollat e rikonstruktuara në zonën e Gërdecit.

Pirro Loli “zbulon” agjentin e CIA-s në Shqipëri

Një roman, i cili të intrigon që nga titulli “Unë, agjenti i CIA-s M.H.” ka dalë në vitrinën e librit këto ditë. Autori Pirro Loli na njeh me një histori mes trillit artistik dhe të vërtetës historike. Ja se çfarë shkruan ai në parathënien e këtij libri:
“Ky libër erdhi tek unë si pa trokitur, erdhi u fut në krijimtarinë time si një lindje e padëshirueshme. Miku im, Apostol Goçi, ma tregoi ngjarjen ashtu kot, si për të shtyrë bisedën. Nuk e dija se ai, ish-studenti im, kish strehuar dhe ish kujdesur për 17 vjet për një agjent perëndimor, kur të tjerët e tregonin ‘diversantin’ me gisht dhe i trembeshin si kolerës...
Agjenti anglo-amerikan kish zbritur me parashutë për të përmbyesur rendin komunist dhe pastaj gjithë jetën e kish kaluar burgjeve dhe kampeve të përqendrimit. Ai i kish rënë Europës kryq e tërthor dhe jetën e tij e ka lënë në një fletore kujtimesh...”. Sa i përket autorit Loli, ai ka botuar vëllime të ndryshme me poezi, ese dhe romane mes të cilave po përmendim disa tituj: “Drita e vetëtimës”, “Vdekja e trëndafilave”, “Urdhri i lotit”, “Sirenat”, “Piramida prej mjalti”, “Qyteti me dy kate” etj.

28 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›