E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ro-Bajern çon gjermanët në “Top-4”



Për herë të parë pas disa vitesh asnjë ekip anglez nuk arrin në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, pasi dhe shpresa e fundit e futbollit britanik, Mançester Junaitid, u eliminua në çerekfinale nga Bajerni i Munihut. Kështu në katër më të mirat e këtij edicioni janë Barcelona (Spanjë), Inter (Itali), Bajerni (Gjermani) dhe Lioni (Francë). Trajneri i Mançester Junaitid, Aleks Fergusoni hodhi në fushë nga minuta e parë sulmuesin Uejni Runi (u zëvendësua në minutën e 55-të), por “djajve të kuq” nuk u mjaftoi fitorja 3-2 në “Old Trafford” ndaj Bajernit, pasi gjermanët kishin fituar një javë më parë 2-1 në “Alianc Arena”.
Mançesteri shënoi dy gola ekstremisht të shpejtë, duke realizuar me Gibsonin në minutën e 4-të dhe tre minuta më pas me anë të Nanit, ky i fundit katër minuta përpara përfundimit të pjesës së parë i çoi shifrat në 3-0 dhe rezultatin e përgjithshëm në 4-2 për “Djajtë e kuq”. Në minutën e 43-të, Ivica Oliç shkurtoi diferencën, duke i dhënë një rezë shprese Bajernit. Në të 50’, Da Silva i Mançesterit u ndëshkua me kartonin e kuq, duke ia lehtësuar punën bavarezëve. Arjen Roben (74’) shënoi një gol sensancional me një goditje volej, duke u shndërruar sërish në lojtarin “kualifikues” pasi ishte holandezi ai që eliminoi në një të tetat Fiorentinën në humbjen 3-2 të bavarezëve në Firence.
Lioni u bë ekipi i katërt i kualifikuar në gjysmëfinale, pavarësisht se humbi 1-0 me Bordonë në derbin e gjithë francez. Golin e vetëm për “zhirondinët” e shënoi sulmuesi Çamak në minutën e 45-të, por që nuk mjaftoi për t’u kualifikaur pasi shtatë herë kampionët e Francës e kishin fituar takimin e parë 3-1. Lioni do të përballet në gjysmëfinale me Bajernit, ndërkohë që fituesi i këtij çifti do të diskutojë finalen e madhe të Madridit me triumfuesin e dyshes Inter-Barcelona.

GJYSMWFINALET
Lion-Bajern
Inter-Barcelona

Bota nën këmbët e “Messiah”

Mediat botërore thurin lavde pa kufij për sulmuesin e Barcelonës, Lionel Mesi, pas katërgolëshit të tij kundër Arsenalit

“Kriza mistike” e shtypit dhe futbollit botëror të provokuar nga ndeshja e pabesueshme e Leo Mesit kundër Arsenalit (katër gola të argjentinasit) u fotografua shumë mirë nga tabloidi anglez “The Sun”: “Messiah”. Një nga shumë gazetat që kurorëzonin Lionel Mesi, përfshirë dhe ato rivale nga Madridi, tashmë të preokupuara në prag të “El Classico”-s të së shtunës mbrëma. “Mbreti i ri i futbollit”, - shkruan “Marca”, që shton: “Si mund të ndalojmë këtë njeri?” “Mesi da miedo”, çka përkthehet në shqip “Mesi i frikshëm”, është titulli i gazetës tjetër madrilene “As”, që duartroket për “pokerin e jashtëzakonshëm” të numrit 10 të Barcelonës, duke shkruar se “nuk është i kësaj bote”. Edhe për gazetën franceze “L’Equipe”, Mesi është i një planeti tjetër, një “Zot që e meriton”, shkruan ajo në faqen e saj. Duke u rikthyer në Spanjë, gazeta katalanase “Mundo Deportivo” kufizohet me një “Mesi gjenial”, e në kuadër të ndeshjes kundër “los blancos” (Reali i Madridit) shkruan “katër herë ‘po’, aq sa golat e shënuar nga “pleshti” (nofka e Mesit). Duke qëndruar në Katalonjë, faqja në internet e së përditshmes “Sport”, propozon: “Mos thoni futboll, thoni Mesi”, duke shtuar “nuk ka më diskutim se është më i miri në botë”. “Daily Mail” në Angli shkruan: “Numri 10 perfekt më parë ishte Pele, më pas erdhi Maradona... dhe tani përshëndesim mbretin e ri’. Për të përditshmen angleze, megjithatë, Mesi mund të krahasohet qysh tani me dy gjenitë e mëdhenj të historisë së futbollit. “Mirror” u jep hapësirë deklaratave të Arsen Vengerit. Për trajnerin e Arsenalit, Mesi është një lojtar për “playstation”. “Times” e përkufizon thjesht një “gjeni i futbollit”. Për gazetën “The Guardian” është “magjik” dhe për “News of the World” është i “mrekullueshëm”.
Në atdheun e sulmuesit, Argjentina, “Clarin” shkruan se Mesi dha një tjetër dëshmi të “gjenialitetit” të tij. “Ole” uron që të shohë të njëjtin Mesi edhe në Botërorin e Afrikës së Jugut. “La Nacion” flet për një lojtar “pa kufij”, “impresionues”. Edhe faqet e para të shtypit gjerman, italian, brazilian, por dhe shqiptar shkruajnë për Mesin, por tani është radha e Hoze Murinjos së Interit t’i bëjë vetes pyetjen që shtroi “Marca”: “Si ta ndalojmë këtë njeri?”

Morati: “Barca? Duam hakmarrje!”

Presidenti i Interit, Masimo Morati, foli me elozhe pas kualifikimit për në gjysmëfinale, duke sfiduar madje edhe Barcelonën: “Mourinjo përgatiti mendërisht ndeshjen në mënyrë perfekte. Pashë shpirtin e skuadrës. Me Barcelonën ka shume dëshirë për hakmarrje. Gjysmëfinale e vështirë por magjike. Mendoj se lojtarët tanë duhet të kenë dëshirën maksimale për të fituar. Interi tashmë ka një marsh më shumë krahasuar me ndeshjet në grupe. Çdonjëri nga djemtë e mi do jetë i ndërgjegjshëm”.

8 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›