Teatri i Prishtinës në Tiranë
Me ftesë të Teatrit Kombëtar të Tiranës, Teatri Kombëtar i Kosovës do të prezantohet në Tiranë më 5 dhe 6 shkurt, me shfaqjen “Heshtje” të autorit Refet Abazi, e në regji të Arta Kallabës, si dhe me shfaqjen “Vdekja dhe Vasha” nga Ariel Dorfman, në regji të Fatos Berishës. Aktiviteti organizohet në kuadër te memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në lëmin e kulturës.
Shfaqja “Heshtje”, e cila do të jepet për publikun tiranas më 5 shkurt, trajton një temë interesante. Varfëria, lidhja dogmatike për vlerat ideologjike të shkelura nga koha si dhe sjellja diktatoriale e babait janë shkaqet e raporteve jo të shëndosha në familjen e enveristit Dema, në të cilën heshtazi kalohet mbi dhunën incestoide, që ai e ka kryer mbi të bijën Nita, e cila prostituohet për të mbajtur familjen. Nën peshën e obligimeve ekzistenciale dhe problemeve profesionale, Ariani (i biri i Demës) nuk arrin ta ruajë lidhjen dashurore me Zanën. Nuk arrin ta shpëtojë as motrën, Nitën, që do të bëjë vetëvrasje me një dozë të tepruar. Zana ka guxim më të theksuar (ose dëshpërim) se Ariani ndaj largohet përtej Oqeanit, edhe pse babai i saj Zamiri ka shumë mirëkuptim për të bijën, për ambiciet dhe nevojat e saj. Pas vdekjes së Nitës, Sana do të dëshmojë dhe Dema do ta paguajë krimin me burg. Zamiri dhe Ariani do të bashkohen si babë e bir, duke ruajtur lidhjet me Zanën dhe duke mashtruar veten se ajo një ditë ndoshta do të kthehet nga Kanadaja. Në shfaqje luajnë Xhevdet Jashari,Yllka Gashi, Çun Lajçi, Igballe Qena, Bislim Muçaj, Leonora Mehmeti, Enver Petrovci, Donat Qosja etj.
Ndërkaq, “Vdekja dhe Vasha”, e cila do të shfaqet më 6 shkurt, është dramë psikologjike e autorit kilian Ariel Dorfman, e cila është punuar në shumë teatro nëpër botë, madje është bërë edhe film nga regjisori i njohur Roman Polanski në vitin 1994, në të cilin luajnë aktorët e njohur Sigourney Weaver, sir Ben Kingsley dhe Stuart Wilson. Në shfaqjen kosovare luajnë Yllka Gashi , Shkumbin Istrefi e Luan Jaha. Shfaqja është kamertale dhe publiku është i vendosur në skenë. Drama ka në qendër ka një grua me një të kaluar shumë të dhimbshme, e cila jeton ndërmjet të kaluarës dhe të tashmes. “Vdekja dhe Vasha” është bashkëprodhim i Teatrit Urban dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës.