Njeriu portë, çmim në Luksemburg
Agim Sulaj, karikaturisti shqiptar më i njohur në arenën ndërkombëtare, sidomos për karikaturat e tij, ka fituar një tjetër trofe në një konkurs ndërkombëtar karikature në Viaden të Luksemburgut. Tema e këtij salloni që ka mbërritur në edicionin e tretë të tij ka qenë “Burri i shtëpisë” dhe vepra që ka sjellë artisti nga Shqipëria është vlerësuar me çmimin e dytë të këtij konkursi. Tema, e cila reflekton në brendësi të jetës familjare dhe të rolit të burrit në familjen e sotme moderne, ka vënë në punë artistë të ndryshëm pjesëmarrës në këtë konkurs nga vende si: Kuba, Kolumbia, Irani, Greqia, Turqia, Bullgaria, Polonia, Brazili, Ukraina, Kosova, Rumania, Meksika, Indonezia dhe Irani. Për jurinë, e kryesuar nga karikaturisti i njohur Pol Leurs, ka qenë një punë shumë e vështirë seleksionimi i veprave pjesëmarrëse nga 1200 veprave të ardhura prej 65 vendeve të botës. Vetëm 120 prej tyre u përzgjodhën për ekspozim dhe vetëm tre prej tyre u vlerësuan me çmim. Artisti shqiptar fitoi çmimin e dytë me veprën e titulluar “Njeriu portë”. Artisti ka zgjedhur shpinën e një burri që transformohej në portë, në të cilën varej luani prej bronzi, si pika ku trokasin problemet e botës. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u mbajt në sallën e kavalierëve të kështjellës Mesjetare të Viandenit. Merrnin pjesë në këtë veprimtari ministrja e Turizmit dhe Barazisë Sociale të Luksemburgut znj. Francoise Hetto-Gaasch, përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, miq të kështjellës së Viandenit, artistë të ftuar nga Belgjika etj. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit maj në këtë kështjellë. Pas kësaj ajo do të inaugurohet më 8 qershor në ART Museum Caricature.
#