Tekstet, prindërit indiferentë, nuk afrohen në librari
Libraritë furnizohen me hope. Shtëpitë botuese nuk kanë mbyllur shtypjen e teksteve shkollore
Ministria e Arsimit, gati planin rezervë. Tekstet do shpërndahen në muajin Shtator në shkolla
“Këtu shiten librat për shkollën 9-vjeçare “Edit`h Durham”, shkruhet në vitrinën e një prej librarive të vetme në Tiranë që ka të afishuar një pusullë të tillë. Më tej, po të kërkosh, vështirë se mund të hasësh njoftim të dytë të ngjashëm. Një pjesë e librarive gëzojnë pushimet verore, ndërsa një pjesë tjetër as që kanë marrë përsipër mundimin të furnizohen me tekste shkollore. Edhe në ato librari ku shtëpitë botuese kanë arritur të gjejnë treg shitje, mbizotëron qetësia. Prindërit dhe nxënësit s’janë përçapur fare të drejtohen në librari, paçka se tekstet shkollore janë stivuar në rafte, pothuajse një javë më parë. “Janë me pushime”, ta kthen një nga librashitëset e kontaktuara, ndërsa e pyet për fluksin e blerësve. Prindërit apo nxënësit që janë ofruar për të marrë tekste shkollore numërohen me kokrra. Si çdo herë, punët lihen për në fund, shkas për të krijuar radha të padurueshme. Këshilla e ministrit të Arsimit, z.Fatos Beja, në daljen e parë në publik për blerjen e teksteve shkollore në muajin gusht, në një vesh u ka hyrë e në një tjetër u ka dalë, prindërve të nxënësve të interesuar për pajisjen me tekste mësimore. “Jo, jo, deri tani shumë pak janë ofruar për të blerë tekste shkollore. Mesa duket do jenë me leje, ose nuk e kanë mësuar që tekstet kanë filluar të shiten në librari”,- thotë Joana, librashitëse në një nga libraritë e kryeqytetit. Por tekstet shkollore, nuk kanë mbërritur të gjithë në pikat e shitjes. Shtëpitë botuese vazhdojnë punën për furnizimin e pikave të kontaktuara për tregtimin e teksteve, duke ua sjellë shpirtin në majë të hundës librashitësve, të cilët krahas punës së përditshme, në shitjen e librave duhet të merren edhe me furnizimin e herëpashershëm me tekste shkollore. Shkak për amullinë e krijuar është moskorrektesa nga shtëpitë botuese, të cilat nuk kanë arritur të botojnë tekstet në kohë. Ky problem është kthyer në shqetësim edhe për Ministrinë e Arsimit, ku thuhet se drejtues të saj i kanë kërkuar shtëpive botuese, në takimet me këto të fundit, përshpejtimin e ritmeve për shpërndarjen e teksteve në libraritë të cilat kanë pranuar të jenë pjesë e këtij procesi. “Furnizimi me tekste shkollore nuk ka përfunduar. Pothuaj çdo ditë marrim furnizim, kjo pasi shtëpitë botuese nuk kanë përfunduar ende me shtypjen e tyre”,- informon një nga librashitëset. Por gjithsesi librashitësit nuk e shikojnë si problem mosfurnizimin në kohë me tekste shkollore. Deri më tani numri i prindërve të interesuar për të blerë tekste është shumë i vogël. “Ky është problem. Kam frikë se do të sulen të gjithë në muajin shtator dhe do të ndodhë e njëjta situatë, sikurse u pa edhe vitin e kaluar, ku patëm radhë të gjatë të blerësve”,- ngre shqetësimin librashitësja. Shpërndarja e teksteve shkollore, me shumë gjasa, si po rrjedhin punët do të vazhdojë edhe në muajin shtator, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor. Kundërshtimi i disa prej librarive për të shpërndarë tekste shkollore, e ka detyruar Ministrinë e Arsimit të kalojë në Planin B, që është shpërndarja e teksteve në shkolla.