E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në shëndetësi, debat në SHBA



Presidenti Barack Obama po kritikon ashpër ligjvënësit për përdorimin e taktikave frikësuese në debatin për reformën e kujdesit shëndetësor. Presidenti foli para mijëra amerikanëve në një tubim në Minesota dje, ku tha se në Amerikë askush nuk duhet të falimentojë, sepse është i sëmurë. Ndërsa Presidenti foli para një turme entuziaste në Minesota, një turmë e madhe u mblodh në Uashington për të protestuar ndaj politikave të tij.

Tubimi i Presidentit Obama në Mineapolis të Minesotës dukej dhe tingëllonte si takimet e tij të fushatave të vitit të kaluar. Zoti Obama u shfaq për të folur në arenën, ku John McCain pranoi vitin e kaluar emërimin e vitit të kaluar si kandidat republikan për President dhe tha se vendi nuk mund t'i lejojë më vetes që të merret me lojëra në kujdesin shëndetësor. Ai tha se një raport i ri i Departamentit amerikan të Thesarit e përcjell më së miri urgjencën e këtij problemi. "Afro gjysma e amerikanëve nën moshën 65 vjeç do të humbasë sigurimet shëndetësore gjatë dhjetë vjetëve të fundit. Më shumë se një e treta do të jetë pa sigurime për një periudhë më të gjatë sesa një vit. Duhet të bëjmë patjetër diçka". Po dje, në fjalimin e tij të përjavshëm në internet, zoti Obama tha se vendi ka zhvilluar një debat të gjatë dhe të rëndësishëm për reformën në shëndetësi, por është koha për të vepruar.

"Në Shtetet e Bashkuara, askush nuk duhet të shqetësohet se do të mbetet pa sigurime shëndetësore, as për një vit, as për një muaj dhe as për një orë. Dhe kur unë ta nënshkruaj planin për reformën shëndetësore, duke e kthyer në ligj, ata nuk do të mbeten pa sigurime". Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi po punojnë për të hartuar një legjislacion të reformës shëndetësore që të mund të jetë i pranueshëm edhe nga demokratët, edhe nga republikanët. Por në përgjigjen e përjavshme republikane, Senatori Xhon Kornin i Teksasit kritikoi koston e planit 900 miliardë dollarësh të presidentit, të cilin zoti Obama e paraqiti gjatë fjalimit para kongresit të mërkurën.

"Presidenti na tha se ka disa detaje të rëndësishme, me të cilat duhet punuar dhe e kishte seriozisht. Detaji më i rëndësishëm është kostoja e planit të tij dhe efekti i saj tek deficiti buxhetor".

Ndërkohë në Uashington dhjetëra-mijëra vetë të indinjuar për shpenzimet qeveritare marshuan nëpër qytet deri tek kongresi për një ditë protestash kundër politikave të presidentit për ekonominë dhe sistemin shëndetësor.

Sheri Melton nga Karolina e Veriut thotë se politikat e zotit Obama po e çojnë Amerikën drejt socializmit.

"Ne po na shtyjnë drejt socializmit. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për kujdesin shëndetësor, por nëse ndërhyjnë tek kujdesi shëndetësor, ata do të ndërhyjnë në çdo pjesë të jetës sonë". Një numër oratorësh konservatorë folën para protestuesve, përfshirë disa ligjvënës republikanë. Shumë prej tyre bënë thirrje për më pak ndërhyrje të qeverisë në jetët e amerikanëve. Të tjerë donin që të shpenzoheshin më pak nga paratë e taksapaguesve për programet qeveritare. Tubimi ishte organizuar nga disa grupime politike që janë kundër Presidentit Obama.

Vlorë

72 milionë lekë për ujësjellësin e dy fshatrave

Banorët e dy fshatrave në komunën Qendër në rrethin e Vlorës pritet të furnizohen pa ndërprerje me ujë të pijshëm. “72 milionë lekë është vlera e projektit të ndërtimit të ujësjellësve të dy fshatrave Panaja e Babicë, që financohet nga grantet e qeverisë shqiptare”, - tha dje kryetari i kësaj komune, Fredo Berberi. Sipas tij, “punimet për zbatimin e projektit të ndërtimit të ujësjellësve të fshatrave Panaja dhe Babicë do të nisin brenda muajit shtator dhe do të përfundojnë në fund të këtij viti”.

Projekti parashikon shtrirjen e magjistralit kryesor dhe të linjave të furnizimit brenda fshatrave, ku mungesa e ujit të pijshëm është një shqetësim pothuajse 20-vjeçar. "Me këtë investim zgjidhet plotësisht furnizimi pa ndërprerje me ujë të pijshëm i banorëve të 12 fshatrave të Komunës Qendër, dikur mjaft problematike në këtë drejtim", - tha kryekomunari. Pak muaj më parë, me financim të qeverisë shqiptare, me një vlerë prej 10.7 milionë lekësh, përfundoi ndërtimi i ujësjellësit të fshatit Nartë, 7 km në veriperëndim të qytetit të Vlorës. Këto investime u bashkohen edhe atyre të realizuara për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në këtë njësi të qeverisjes vendore, me mbështetjen financiare të qeverisë. Pak ditë më parë, përfundoi ndërtimi i rrugëve që lidh dy fshatra të kësaj komune me qytetin e Vlorës, ndërkohë që gjatë këtij viti numri i projekteve në këtë drejtim ka arritur në katër. Parashikohet që brenda vitit të ardhshëm të gjitha fshatrat e Komunës Qendër të lidhen mes tyre dhe me qytetin e Vlorës, me rrugë të asfaltuara të standardeve bashkëkohore. Komuna Qendër është ndër njësitë më të rëndësishme të qeverisjes vendore në qarkun e Vlorës. Në të përfshihen 12 fshatra, mes të cilave Narta, Panajaja, Kanina, Babica e Madhe dhe Babica e Vogël, Bestrova, Zvërneci, Kërkova, Sherrishta, Xhyherina, Alikoka, Oshëtima. Distanca më e madhe e këtyre fshatrave nga qyteti i Vlorës shkon deri në 10 km.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›