E Shtunë, 31 Tetor 2026

100 raste të dyshuara me gripin e derrit



Njëqind raste të reja të dyshuara si të prekur me gripin e derrit presin analizat nga laboratori i specializuar në Rumani. Instituti i Shëndetit Publik bëri të ditur se këta pacientë janë paraqitur gjatë ditëve të fundit në spitale të ndryshme të vendit, duke pasur simptoma të përafërta me ato të gripit të derrit. Për këtë arsye, pas analizave të kryera në laboratorin e ISHP-së, të gjitha mostrat janë nisur në Rumani për analiza më të hollësishme. Prej këtyre rasteve, 10 mendohet se është e sigurt se janë me gripin e derrit, sipas mjekëve të Spitalit Infektiv të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Numri i mostrave të mbledhura në të gjithë vendin deri në datën 9 shtator është 662, ndërkohë që numri më i madh i tyre është marrë në Spitalin Infektiv (345 të tilla). Çdo ditë në ISHP përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit.

Rasti i parë i prekur me virusin A (H1N1) në vendin tonë u konfirmua më 20 korrik, pas mbërritjes së rezultateve të analizave nga Laboratori i Referencës në Rumani. I prekuri ishte një student 20-vjeçar nga Gjirokastra, i cili ishte paraqitur në Spitalin Infektiv pranë QSUT-së me shenja të gripit të zakonshëm. Ky rast, sipas specialistëve, nuk kishte lidhje epidemiologjike me vendet e prekura, apo kontakte me të sëmurë që mund të kenë ardhur nga jashtë.

Ndërkohë, tashmë vendi ynë duket se ka siguruar një sasi të mjaftueshme të vaksinës së gripit të derrit, që pritet të shpërndahet përgjatë muajit nëntor nga kompanitë farmaceutike. Në total, bëhet e ditur se vendi ynë është gati të përfitojë rreth 1 milion e 200 mijë vaksina, çka shihet si një sasi e mjaftueshme për vaksinimin e të gjithë popullatës që ka rrezik nga prekja e gripit të derrit.

Prej kësaj sasie, 600 mijë vaksina pritet të porositen nga qeveria gjermane në shërbim të qeverisë shqiptare. Kjo, pasi Gjermania do të porosisë më shumë se 40 milionë vaksina dhe kompanitë farmaceutike u japin më shumë përparësi këtyre sasive sesa sasive që mund të porositen nga vende të vogla si Shqipëria.

Pjesa tjetër e vaksinave pritet të sigurohet nga Hungaria dhe nga Kroacia. Drejtoresha e Institutit të Sëmundjeve Ngjitëse në Evropë, njëkohësisht një nga kandidatet më të forta për postin e drejtoreshës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën Juglindore, i kishte premtuar qeverisë shqiptare se do të ndërhynte në kompanitë farmaceutike të Hungarisë, që të siguronin këtë sasi për vendin tonë. Ndërkohë, 300 mijë vaksinat e tjera janë siguruar nga negociatat e zhvilluara mes vendit tonë dhe një kompanie farmaceutike me bazë në Kroaci.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›