Tekstet shkollore falas për katër kategori
Qeveria miraton katër kategoritë e nxënësve të arsimit të detyruar që do t’i përfitojnë falas tekstet shkollore. Bëhet fjalë për tekstet shkollore të pakicave kombëtare, të fëmijëve të familjeve të emigrantëve që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të fëmijëve romë, dhe nxënësve që gëzojnë statusin e të verbrit. Kështu, për tekstet shkollore të pakicave kombëtare, nga klasa I deri IX, dhe për tekstet shkollore të fëmijëve të familjeve të emigrantëve që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, qeveria ka vendosur që çmimi i blerjes të mbulohet në masën 100%, me fondet e Ministrisë së Arsimit. Po ashtu edhe për tekstet shkollore të fëmijëve romë, nga klasa I deri IX, çmimi i blerjes së tyre do të mbulohet 100% nga buxheti i Ministrisë së Arsimit, ndërsa drejtoritë përkatëse të shkollave, ku mësojnë nxënës romë, duhet të dorëzojnë në DAR/ZA-të përkatëse, brenda muajit mars të çdo viti, listën e nxënësve të kësaj kategorie. Kurse për nxënësit që gëzojnë statusin e të verbrit, të cilët mësojnë në klasat I deri IX, ata do të pajisen me tekste shkollore të transkriptuara në shkrimin brail, të regjistruara në audio ose në shkrim të zmadhuar. Çmimi i blerjes së këtyre teksteve do të mbulohet 100% nga buxheti i Ministrisë së Arsimit, ndërkohë që këto tekste shkollore do të jenë pronë e shkollës dhe afati i përdorimit të tyre mund të variojë nga dy deri në tre vjet. Vendimi është marrë dje nga Këshilli i Ministrave, duke bërë disa shtesa dhe një ndryshim në vendimin nr. 107, datë 10.2.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për botimin, shtypjen, shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore të sistemit të arsimit parauniversitar”. Sipas ndryshimeve të bëra, Shtëpia Botuese e Librit Universitar (SHBLU) dhe shtëpi të tjera botuese ngarkohen me botimin, shtypjen dhe shpërndarjen e teksteve shkollore të pakicave kombëtare, të klasave I deri IX, dhe të teksteve të arsimit profesional. Shtypja e këtyre teksteve do të realizohet në SHBLU dhe në shtypshkronja të tjera, ndërsa çmimi do të miratohet nga Ministria e Arsimit.