Tekstet shkollore, më 11 prill MASH nis kontratat me shtëpitë botuese
Miratohet paketa informuese Altertekst 2009. Në këtë paketë janë përcaktuar të gjitha procedurat që do të ndiqen nga Ministria e Arsimit dhe shtëpitë botuese për shtypjen dhe shpërndarjen e teksteve shkollore. Për vitin shkollor 2009-2010 do të përjashtohen nga konkurrimi tekstet shkollorë të certifikuar, që janë në përdorim me tre ose më shumë alternativa. Ndërsa për tekstet e tjera që janë në përdorim me një ose dy alternativa, si dhe për titujt e teksteve të pabotuara deri tani, do të hapet konkursi për përzgjedhjen e tyre. Dorëzimi i këtyre teksteve nga shtëpitë botuese do të bëhet në Ministrinë e Arsimit nga data 20 prill deri më 27 prill. Kurse për tekstet që do të ribotohen, që janë në përdorim me një, dy, tre ose më shumë alternativa, do të rilidhen kontratat me shtëpitë botuese përkatëse. Kështu për tekstet, për të cilat Komisioni i Miratimit të tyre nuk ka asnjë vërejtje, MASH-i do të rilidhë kontratat me botuesit duke filluar nga data 11 prill. Për tekstet që do të ketë vërejtje nga Komisioni i Miratimit, MASH-i do të rilidhë kontratat me botuesit vetëm pasi të jenë bërë korrigjimet përkatëse, ndërsa afati i përcaktuar është brenda 15-ditëshit të parë të muajit prill. Në paketën informuese Altertekst 2009 është vendosur që shitja e librave shkollorë të fillojë më 16 korrik, kurse shpërndarja e tyre në librari, zyrat e postës e shkolla, të përfundojë deri më 15 gusht.
3 Prill 2009