E Diel, 1 Nëntor 2026

Tekstet shkollore nuk janë shpërndarë në librari

Autori i Lajmit: red.
Dështon iniciativa për shpërndarjen e teksteve shkollore në fillim të gushtit. Edhe pse nga MASH u deklarua se shpërndarja e teksteve shkollore do të fillojë që nga data 1 gusht, mësohet se në libraritë e kryeyqtetit tekstet nuk kanë mbërritur akoma. Vetëm disa muaj më parë përfaqësuesit e arsimit deklaruan se tekstet shkollore do të shpërndahen sipas skemës në libraritë shkollore dhe në pikat e postës shqiptare. Kjo me synimin për një shpërndarje sa më të shpejtë të teksteve para fillimit të vitit të ri shkollor, por edhe për të shmangur radhët e gjata. Ndërkohë edhe këtë vit do të shpërndahen faturat sipas skemës së subvencionimit. Për herë të parë do t i jepet prioritet arsimit 9-vjeçar, një marrëveshje kjo e arritur vetëm disa javë më parë nëpërmjet sindikalistëve, prindërve dhe Ministrisë së Arsimit. Skema që do të përdoret do të jetë e tillë që nëse libri ka vlerën 300 lekë, subvencioni i shtetit për këtë libër do të jetë 150 lekë. Shtëpia botuese vendos në kopertinë çmimin real 300 lekë dhe prodhon librin sipas kësaj kostoje. Fondet e planifikuara nga shteti shkojnë tek përdoruesi duke mënjanuar mundësinë për abuzim. Këtë vit është parashikuar një fond prej 2,8 milionë euro. Në garë për botimin e tekseve shkollore janë mbi 20 shtëpi botuese.
Ky lajm është publikuar: 05/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›