“Vendimet për Durrës- Kukës anashkaluan qeverinë ose hasën kundërshtimin e ministrave”
Partia Socialiste përsëriti dje se akuza e ngritur ndaj ministrit Lulzim Basha dhe bashkëpunëtorëve të tij nuk është akuzë politike, por akuzë penale, e ngritur nga institucione kushtetuese. Por, nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Erion Braçe, saktësoi dje se vendimet që janë marrë për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, janë kundërshtuar nga ministri të qeverisë dhe nga institucione në varësi të qeverisë. Braçe shtoi se vendimet janë marrë duke shmangur qeverinë në rastin më të keq, dhe duke mos patur miratimin e ministrive kryesore në rastin më të mirë, ndryshe nga sa pretendon Lulzim Basha dhe kryeministri, Sali Berisha.
Fillimisht Braçe tha se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka faktuar shkelje në këto rrugë. “Aq e vërtetë është kjo, sa dua të sjellë në vëmendje se ka qenë vullneti i deputetëve socialistë për të ndërprerë menjëherë hetimin parlamentar për segmentin Rrëshen-Kalimash pas bërjes publike të raportit të KLSH dhe kallëzimit penal për fajet e zbuluara në të”, - tha Braçe.
Më pas ai përmendi kundërshtimet e Agjencisë së Prokurimeve dhe ato të ministrit të Drejtësisë së asaj kohe, Aldo Bumçi dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode.
“Me shkresën 10336/1, datë 7.07.2006, Agjencia e Prokurimit Publik ka denoncuar se në relacionin e ministrit Basha për VKM 460 për prokurimin e drejtpërdrejtë me kompaninë “Ecorys Group”: “mungon relacioni i hollësishëm i përllogaritjes së fondit limit, arsyet e përzgjedhjes së këtij konsorciumi, si dhe dokumentacioni i tij ligjor. Me plotësimin e këtij dokumentacioni APP do të japë mendimin e saj në lidhje me këtë projektvendim”.
Më shkresën nr. 7159/1, datë 26.09.2006, ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, duke i kthyer përgjigje ministrit Basha për projektvendimin për miratimin e kontratës me kompaninë “Bechtel-Enka”, denoncon: Në relacionin shpjegues të projektvendimit nuk jepet informacion i plotë lidhur me gjithë hapat e ndjekura për realizimin e një procedure tenderimi të hapur ndërkombëtar. Në përputhje me nenin 7/2 të ligjit 7971, datë 26.07.1996, për prokurimin publik negocimi dhe nënshkrimi i kontratës paraprihet nga miratimi i një raporti përmbledhës nga Këshilli i Ministrave i procedurës së prokurimit, ku pjesë përbërëse e tij është vendimi i marrë për ofertën ose propozimin fitues. Në kushtet kur as në relacionin shpjegues nuk informohemi lidhur me përmbushjen e këtij detyrimi ligjor, si dhe për efekt kohe ju sugjerojmë që për aspekte të tjera teknike të merret mendimi i specializuar i APP.
Me shkresën 5795/4, datë 26.09.2006, ministri i Financave, Ridvan Bode, duke i kthyer përgjigje ministrit Lulëzim Basha për të njëjtin projektvendim, denoncon: Mbështetur në ligjin nr. 9000, datë 30.01.2003, për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave të argumentohet baza ligjore e projektit. Si e tillë duhet të shërbejë referenca në ligjin, i cili ngarkon Këshillin e Ministrave për miratimin e kësaj projekt/kontrate. Pasi të saktësohet baza ligjore, nga ana financiare sugjerojmë që, mbështetur në udhëzimin 2/2 datë 23.08.2006 “Për zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2006”, në të cilin është përcaktuar që “vlera e paradhënies duhet të jetë jo më shumë sesa vlera e garancisë së kontratës”, të rishikohet shuma e pagesës paraprake, e cila përbën 9.5 % të kostos së planifikuar të shpenzimit për këtë segment dhe shuma e garancisë që përbën 7% të kostos së vlerësuar për ndërtim”, - tha Braçe, i cili shtoi se denoncimet nuk u morën parasysh.
Më pas Braçe tha se vendimet nuk janë marrë nga qeveria ose nuk kanë patur konsensusin e saj. “Vendimi nr. 460, datë 10.07.2007, i KM “Për prokurimin e drejtpërdrejtë me kompaninë “Ecorys” për përgatitjen e dokumenteve të tenderit...”, duke shkelur VKM nr. 158, datë 15.03.2006, “Për lejimin e DPRR të përdorë procedurën e prokurimit të Bankës Botërore...”, si dhe duke shkatërruar procesin e prokurimit nisur nga DPRR për këtë qëllim është marrë në kundërshtim të hapur me ligjin, në kundërshtim të hapur me vërejtjet ligjore të APP dhe është miratuar si një vendim qarkullues pa mbledhje qeverie.
Vendimi nr. 481, datë 14.07.2006, i KM, “Për lejimin e DPRR të përdorë procedurën e prokurimit “tender i hapur ndërkombëtar” për ndërtimin e segmentit Rrëshen- Kalimash...”, është i dyfishtë, mban dhe datën 14. 06.2006 dhe është miratuar brenda një ore pa marrë parasysh fare mendimin e Ministrisë së Financave, Ministrisë së Ekonomisë dhe APP.
Vendimi nr. 651, datë 27.09.2006 i KM, “Për miratimin e projekt/kontratës me kompaninë “Bechtel-Enka” është miratuar pa marrë në konsideratë vërejtjet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave dhe është miratuar nga qeveria në kundërshtim të plotë me ligjet në fuqi në Republikën e Shqipërisë”, - tha Braçe.