Berisha: Topi dekoroi një faqezi
ADI SHKEMBI
Pak orë përpara votimit të ligjit të spiunëve, Kryeministri Berisha ka sulmuar ashpër Presidentin Topi për dekorimin e një prokurori që ka dhënë dënim me vdekje në vitin 1979. Duke folur para deputetëve demokratë, në mbledhjen e radhës së grupit parlamentar, kreu i qeverisë e ka quajtur dekorimin e Skënder Brecës si një përdhosje të kombit, ndërsa ish-prokurorin si faqezi. "Ne përjetuam këtë vit dekorimin e prokurorit që kërkoi dënimin kapital të Xhelal Koprenckës në vitin 1979, sepse ky pinjoll i një familje të shkëlqyer, atdhetar i flaktë, kur dy bashkëvuajtësit i bënin letër diktatorit të hapemi drejt Rusisë ky tha -jo- duhet të hapemi drejt Amerikës, ai është vendi i lirisë. Për këtë dhe vetëm për këtë mori dënimin kapital dhe sot në mënyrën më të papranueshme Koprencka u dekorua vite më parë për meritën e tij, xhelati i tij u dekorua këtë vit për faqen e zezë të tij, për të përdhosur ndërgjegjen e kombit", u shpreh kreu i qeverisë. Dekorimi i prokurorit Skënder Breca pak kohë më parë nga Presidenti Topi, bëri që ky i fundit të vihej përpara akuzave lidhur me dekorimet e ish-zyrtarëve të lartë të regjimit komunist. Ndërkohë kreu i qeverisë ka sulmuar ashpër edhe disa prokurorë aktualë në Prokurorinë e Përgjithshme, teksa e ka lidhur karrierën e tyre ngushtë me regjimin e kaluar. "Në Shqipëri 98% e prokurorëve dhe gjykatësve janë të lirë, që s`kanë asnjë lidhje me atë të shkuar. Vetëm këta, vetëm 'zamir shtyllat', të cilët kanë urdhëruar lidhjen me tela me gjemba të qytetarëve në vitin '90 dhe zvarritjen e tyre në Sarandë dhe që janë aty vetëm për lidhjet e shumëllojta me drejtuesit e tyre dhe për asgjë tjetër? Pra, këta mbrohen nga Edi Rama, por jo vetëm nga ai. Ndaj dhe uroj që PS-ja dhe opozita shqiptare të mos mbetet peng e Zamir Shtyllës dhe e ndonjë shtylle tjetër, të mos pranojë legjitimimin e barbarive nga një sistem", u shpreh Berisha. Kreu i Ekzekutivit i është përgjigjur edhe hipotezave të opozitës, sipas të cilave ligji i ri bëhet për të goditur disa hetues dhe prokurorë, të cilët kanë në dorë disa çështje korruptive të qeverisë, si rruga Durrës-Kukës, aferën e Gërdecit apo çështjen e Damir Fazlliç. "Tani na del në mënyrën më të pafytyrë dhe më të papranueshme se ligjin -thonë zëdhënësit e Edi Ramës- po e bëjnë për shkak të 3-5 hetuesve apo 6 gjyqtarëve. Në mënyrë absolute jo, ligji s`ka asnjë lidhje. Ligji është propozuar rreth 3 vjet më parë, kur s`ka patur asnjë proces. Por më lejoni t`i shtroj një pyetje zotit Edi Rama; sipas teje zoti Rama dhe sipas zëdhënësve tuaj në Shqipëri, procese madhore mund të zhvillojnë vetëm ata që i kanë duart deri në bërryla me gjakun e njerëzve të pafajshëm?", u shpreh më tej kreu i qeverisë. Duke u ndalur te ligji, Berisha pranoi kritikat se ai është i butë në krahasim me të disa vendeve të tjera, por shtoi se ai është vazhdim i ligjit të vitit 1995. "Unë e kuptoj mjaft mirë pakënaqësinë reale që ekziston tek jo pak nga ju për variantin e përzgjedhur, por unë prapë ju bëj thirrje, nuk kemi asnjë arsye që të tërhiqemi nga një variant që e votuam në vitin 1995, nuk kemi arsye të jemi mosbesues ndaj rezultateve dhe efekteve të këtij ligji, pasi nuk arriti të implementohej për shkak të rebelimit komunist, nuk kemi arsye që të krijojmë tundimin më të vogël drejt hakmarrjes", tha Berisha. Kreu i qeverisë u ndal gjithashtu edhe tek ish-Presidenti Ramiz Alia, për të cilin tha se ka firmosur vrasjen e 27 intelektualëve në Tiranë një ditë para se të bëhej gjyqi, apo masakrën e Tivarit. Ndërsa për pluralizmin e vitit 1990 dhe rolin e ish-presidentit, Berisha tha se "në vitin 1990 është e vërtetë që ai e pranoi pluralizmin, por e pranoi që të shpëtonte lëkurën e tij, që të mos pësonte fatin e Çausheskut. Bëri shumë mirë që e pranoi pluralizmin, sepse u shmang një gjakderdhje, por këto janë fakte".
Breca mori “Medaljen e Mirënjohjes”
Në Ditën e Drejtësisë, më 10 maj 2008, Presidenti Topi dekoroi disa juristë të njohur gjatë një ceremonie në Pallatin e Brigadave. Mes tyre ishte edhe Skënder Breca, i cili u dekorua me "Medaljen e Mirënjohjes" me motivacionin - "Për përkushtim të lartë, korrektësi dhe ndershmëri në ushtrimin e funksioneve të prokurorit". "Në shenjë nderimi dhe respekti për punën e kryer, Presidenti Topi dekoroi disa juristë të mirënjohur të vendit, për arritjet e tyre të rëndësishme në fushën e të drejtës dhe për kontributin e rëndësishëm që kanë dhënë në këtë fushë: z. Skënder Begeja dhe z. Njazi Jaho me Urdhrin "Mjeshtër i Madh", z. Vladimir Kristo, z. Spiro Peçi, znj. Shpresa Breçaj dhe z. Skënder Kaçupi me Urdhrin "Naim Frashëri" i Artë, z. Skënder Breca dhe z. Vasillaq Simeon me Medaljen e Mirënjohjes", thuhej në një njoftim të zyrës së shtypit të Presidentit. Në periudhën 1992- 1996 Breca ishte anëtar i KLD-së, kryetar i së cilës ishte Presidenti Berisha. Dekorimi i Skënder Brecës bëri që ndaj kreut të shtetit të vinin një sërë akuzash për dekorimin e ish-zyrtarëve të regjimit, të cilët kishin dhënë dënime me vdekje. Breca në vitin 1979 dha dënimin kapital për Xhelal Koprenckën, ndërkohë që vendi ku ai është varrosur ende nuk dihet.
Prokurori: Berisha më emëroi, firmosa arrestimin e Nexhmije Hoxhës
TIRANE - Drejtori i Hetimit dhe Ndjekjes Penale në Prokurorinë e Përgjithshme, Zamir Shtylla i konsideroi dje emocionale akuzat e Kryeministrit Berisha në adresë të tij. Prokurori tha se ka qenë pikërisht kryeministri i sotëm, i cili në kohën kur ushtronte detyrën e Presidentit të vendit, ka dekretuar emërimin e Zamir Shtyllës në një prej posteve më të rëndësishme në Prokurorinë e Përgjithshme. Më tej në reagimin e tij, duke hedhur poshtë akuzat e Kryeministrit Berisha, prokurori Zamir Shtylla tha se në punën dhe veprimtarinë e tij i është bindur dhe i bindet vetëm ligjit dhe askujt tjetër. "Së bashku me kolegët e mi kërkuam arrestimin e Nexhmije Hoxhës dhe ish-bllokmenëve të tjerë. Kam zbatuar ligjin dhe vazhdoj t'i bindem atij dhe askujt tjetër", është shprehur dje prokurori Zamir Shtylla, që mban edhe funksionin e Drejtorit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale në Prokurorinë e Përgjithshme. Ai madje është një nga drejtuesit e hetimit të dosjes për tragjedinë e Gërdecit, si dhe një nga prokurorët që lë detyrën nëse ligji i dosjeve hyn në fuqi. Në të njëjtën kohë me reagimin e prokurorit Shtylla, Prokuroria e Përgjithshme tha se hetimet për tragjedinë e Gërdecit kanë përparuar dhe se në skenë kanë dalë emra të rinj që po hetohen.
Masakra e Tivarit, si u vranë 1670 kosovarë
Masakra e Tivarit daton me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Kur okupatori gjerman ishte duke u tërhequr nga territori i ish-Jugosllavisë dhe luftimet vazhdonin në veriperëndim të saj, komanda vendase bëri mobilizimin e shqiptarëve të Kosovës dhe i nisi në front. Në të njëjtën kohë brigadat serbe mësynë në territorin e Kosovës për të përforcuar pozitat e tyre atje. Rreth 4500 shqiptarët e thirrur nën armë për të vazhduar luftimet me okupatorin, fillimisht u mblodhën në Prizren dhe pasi u çarmatosën me premtimin se do të merrnin armë angleze kur të arrinin në front, u nisën në drejtim të Malit të Zi të ndarë në tri grupe. Grupi i fundit me 4700 luftëtarë u nis më 26 mars 1945 dhe marshoi për katër ditë në drejtimin Prizren-Zhur-Kukës-Pukë-Shkodër-Tivar. Ende pambërritur mirë në Tivar kolona e luftëtarëve shqiptarë ra në grackën e pabesisë. Nën breshëritë e armëve te vendosura në çdo kodrinë, qoshe rruge, dritare e shpat mali, me dhjetëra e qindra luftëtarë do të gozhdoheshin në vend për të mbetur viktima të tradhtisë. Në një raport drejtuar misionarit anglez, që operonte në terren konfirmohej se numri i të vrarëve arrinte në 1670. Të dhëna të tjera nga dëshmitarë të paanshëm bëjnë të ditur, se ky numër shkon deri në 2500 viktima. Të mbijetuarit besojnë, se ky numër është më i madh se 4000 të vrarë.