E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazi, miratohet projekti që kalon në Shqipëri

22/02/2012  Konsorciumi i gazit natyror zgjodhi dje gazsjellësin Transadriatic

Rruga nga vendi ynë plotëson 8 kushte. Puna pritet të nis më 2017

Gazi që do të vijë nga Azerbajxhani drejt Evropës do të kalojë përmes Shqipërisë. Konsorciumi i gazit natyror në Azerbajxhan përzgjodhi si variant më të mirë gazjellësin që kalon edhe nga Shqipëria. Siç shkruan gazeta amerikane “Financial Times” konsorciumi ngushtoi numrin e projekteve për gazjellësit që do të furnizojnë tregjet evropiane, duke refuzuar planin që mbështetej nga qeveritë greke dhe italiane. Konsorciumi që përbëhet nga kompanitë British Petrolium, “Statoil” dhe kompania shtetërore e Azerbajxhanit, “Sokar” kanë hedhur poshtë variantin rival Interconnector Turqi, Greqi-Itali duke favorizuar gazjellësin Transadriatic, TAP. Vitin e kaluar partnerët e konsorciumit nisën procesin e tenderimit për të përzgjedhur një rrugë për transportin e gazit në Evropë. Dy projekte u përzgjodhën për të sjellë gazin drejt Italisë, ku tashmë i favorizuar është gazjellësi TAP, i cili parashikon kalimin e gazit nga Azerbajxhani, Turqia, Greqia, Shqipëria dhe më pas në rrugë detare drejt Italisë. Shuma e investimit për këtë projekt parashikohet të kalojë vlerën e 1 miliard eurove. British Petrolium tha se ky projekt përfaqëson një ofertë më të mirë, bazuar në tetë kritere duke nisur që nga leverdia e deri tek mundësitë më të favorshme për ndërtimin e tij. Qeveria shqiptare është shprehur në mbështetje të gazsjellësit TAP dhe ka deklaruar se do të bëjë gjithçka që ky projekt të realizohet.

Investimi

Gjatësia nënujore e gazsjellësit Transadriatic nga Shqipëria në Itali është 115 km. Shuma e investimit për këtë projekt parashikohet të kalojë vlerën e 1 miliard eurove. Qeveria shqiptare është shprehur në mbështetje të gazsjellësit TAP dhe ka deklaruar se do të bëjë gjithçka që ky projekt të realizohet. Ndërkohë, projekti tjetër i skualifikuar parashikonte kalimin e gazit nga Azerbajxhani në Turqi, e më pas në Greqi dhe Itali, duke mos e përfshirë Shqipërinë.

Furnizimi

Rriten temperaturat, zgjidhet importi i energjisë

Këmbanat e alarmit për mungesë energjie në rajon pushuan. Tashmë, vendet strategjike që eksportojnë energji për rajonin, përfshirë edhe për vendin tonë, kanë hapur dyert e shitjes së energjisë. “CEZ Shpërndarje”, e cila aktualisht bën edhe importin më të madh të energjisë për Shqipërinë, konfirmon se është siguruar edhe energjia për muajin e mars, e cila do të blihet me një çmim më të ulët se ajo që u ble për shkurtin. Muaji shkurt rezultoi si periudha më e vështirë për tregun ndërkombëtar të energjisë, ku për shkak të panikut, si rrjedhojë e motit të ashpër, çmimet e shitjes së energjise u rritën shumë. Ndërkaq, problemi më i madh i kontratave të lidhura ka qenë me Greqinë, e cila mbylli shitjen e energjisë për dy ditë. Aktualisht vendi fqinj ka hapur importin e energjisë, me kushtin e bllokimit të disa orëve, në raste problematike siç janë grevat e punonjësve apo si pasojë e konfliktit, që ky shtet ka me Azerbaxhanin. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare konfirmon se kuotat në liqenet e hidrocentrale vijojnë të jenë të njëjta që prej dy ditësh, pra në nivele të ulëta ujore. Gjithashtu, prurjet mesatare ujore në liqenin e Fierzës dhe Komanit janë minimale, ndërsa në Vaun e Dejës ato janë zero. KESH vijon normalisht prodhimin e energjisë, për tu plotësuar 14 milionë kilovat orë energji për konsum.

Investimet

Projekti i BERZH, status të ri hekurudhës

Një projekti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim synon rehabilitimin e sistemit hekurudhor shqiptar. Mendohet që në përfundim, të përmirësohen kushtet në trena dhe rritet ndjeshëm numri i pasagjerëve. Drejtori i përgjithshëm i Hekurudhës Shqiptare, Zamir Ramadani, pranoi për RTV SCAN se, sistemi hekurudhor është në gjendje të keqe, por shprehet se ky projekt do t’i japë një status tjetër. Ramadani pasi prezanton problematikat që ka sistemi hekurudhor shqiptar dhe jep idenë se dhënia me koncension e tij do të ishte një zgjidhje e mirë për të përmirësuar shërbimin. Projekti i BERZH nis zbatimin në shtator 2012 dhe do të zgjasë nëntë muaj, ndërsa vlera e tij është rreth 1.2 milionë euro. Në hekurudhen shqiptare performanca lë për të dëshiruar, pasi vagonët janë të 34-40 viteve më parë. Numri i pasagjerëve në ditë në total llogaritet të jetë rreth 2000. Në të gjithë rrjetin hekurudhor shqiptar, prej kohësh nuk është kryer asnjë investim i rëndësishëm. Linjat janë në gjendje të mjeruar dhe në shumë pak prej tyre është bërë rikonstruksion. Vagonët ofrojnë pamje të konsumuar ndër vite, me xhama të thyer, dyer pa doreza, korridore të çara, që reduktojnë maksimalisht numrin e udhëtarëve, të cilët zgjedhin këtë shërbim.

Ndryshimet

Ndihma sociale, reformë e thellë në sistem

Qeveria paralajmëron një reformim të thellë në skemën e përfitimit të shërbimeve sociale nga personat me aftësi të kufizuara apo kategoritë në nevojë. Nisma e re parashikon miratimin e një ligji të ri integral për kategorinë e paraplegjikëve, tetraplegjikëve dhe të verbërve, si dhe rishikimin e plotë të kritereve për përfitimin e shërbimeve sociale. Nisma u paralajmërua nga vetë ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, sipas të cilit, edhe pse fondet që u jepen këtyre kategorive janë të mjaftueshme, vërehet një praktikë shqetësuese lidhur me administrimin e tyre. Ksera tha se, ndryshimet i japin mundësinë Këshillit të Ministrave që të përcaktojë procedurat dhe kriteret e përfitimit të subvencionit për energjinë elektrike, shërbimin telefonik dhe shërbimin e transportit, për të shmangur përfituesit abuzivë, që rezulton së kalojnë shifrën e 10 mijë personave në mbarë vendin. Referuar asaj çfarë tha ministri, paketa e ndryshimeve ligjore nuk synon të ulë masën e përfitimit, por vetëm të rregullojë skemën e përfituesve, duke hequr nga skema ata që përfitojnë abuzivisht. Ksera paralajmëroi se mund të ketë një kufizim të masës së përfitimit të energjisë elektrike që subvencionohet nga buxheti i shtetit, pasi kjo pikë ka mbetur e papërcaktuar aktualisht, duke prodhuar kështu fatura, shpesh të paargumentuara.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›