E Diel, 1 Nëntor 2026

Telefonia celulare, brenda nëntorit gati tenderi për licencimin e operatorit të katërt

Nisin procedurat pas publikimit të njoftimit në "Financial Times". Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare merr vendimin

Ervin Koçi

Tregu i telefonisë celulare në vend shumë shpejt do të shtohet edhe me operatorin e katërt të telefonisë celulare, i cili deri në fund të këtij muaji do të ketë stabilizuar fazën e parë të procedurave të tenderit. Burime nga Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve kanë thënë për gazetën “Albania” se tashmë ka nisur faza e parë për dhënien e licencës të operatorit të katërt celular në vend. Shpallja e interesit për fazën parakualifikuese pritet të bëhet gjatë këtij muaji dhe sipas burimeve zyrtare nga MPPTT-ja, nuk do të nxitohet me shpalljen e një date fikse. "Kemi nisur procedurat për licencën e katërt të operatorit celular dhe pritet shpallja e interesit në gazetën ‘Financial Times’, por për arsye të ndryshme teknike data e njoftimit për kompanitë e huaja mund të shtyhet ndoshta dy-tri ditë", - shprehen specialistë të Ministrisë që mbulojnë politikat e telekomunikacioneve. Ky lajm konfirmohet edhe prej Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, prej nga pritet vetëm konkretizimi i punës me tenderin publik. “Aktualisht, gjendemi në fazën e përpilimit të propozimit për miratimin nga ana e ministrit të dokumentacionit për caktimin e procedurës së tenderin publik dhe kritereve të vlerësimit dhe procedura e tenderit publik do të zhvillohet brenda muajit nëntor 2008”, - deklarojnë zyrtarë nga AKEP-ja. Kjo e fundit ka filluar prej muajit korrik 2008 zbatimin e kësaj procedure.

Procesi i licencimit

Licencimi i operatorit të katërt celular do të bëhet me tender të hapur publik dhe mendohet të aplikohet sipas Vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave Nr. 1252 i datës 10 shtator 2008. Zyrtarë të Ministrisë së Telekomunikacionit nuk japin detaje të hollësishme rreth procedurave që do të ndiqen për licencën e katërt, por sigurojnë se do të veprohet krejt ndryshe me procedurat e tjera. Shpallja e interesit publik, që pritet të bëhet duke filluar nga ky muaj, është kërkuar si procedurë e nevojshme nga ana e ERT-së, në mënyrë që kompanitë e huaja të njihen më parë me propozimin e palës shqiptare. Gjithashtu mësohet fakti se në procesin e dhënies të licencës të katërt, mund të paraqesin ofertat e tyre edhe kompani shqiptare. Duke qenë se ligji i ri për komunikimet elektronike në kushtet e regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm, për dhënien e lejes së përdorimit të frekuencave, kur interesi për një brez të caktuar frekuencash është më i madh se frekuencat e mundshme, për caktimin dhe për të siguruar përdorimin e tyre, parashikon kryerjen e një procedure të veçantë që fillon me këshillimin publik dhe përfundon me zhvillimin të një procedure tenderi publik.

Legjislacioni

Në këtë proces është i përfshirë edhe Enti Rregullator i Telekomunikacioneve (ERT), i cili ka përgatitur "terrenin" ligjor, në mënyrë që rezultati i tenderit të dalë sa më i suksesshëm. Tashmë, me futjen në treg të një tjetër shoqërie të shërbimit celular, numri total i kompanive shkon në katër. Aktualisht në treg operojnë kompanitë “AMC” (Albania Mobile Comunication), "Vodafone Albania", si dhe "Eagle Mobile". Kjo e fundit ka hyrë në treg në muajin mars të këtij viti, në bazë të kontratës që qeveria shqiptare kishte firmosur në qershor 2007 me pronarët e rinj të Albtelekomit, të cilët zotërojnë edhe paketën e plotë të "Eagle Mobile".

Tregu i telefonisë celulare, tre operatorë në shtatë vjet

Prej afro shtatë vitesh në Shqipëri kanë ushtruar aktivitetin e tyre dy kompani celularësh, “AMC” dhe "Vodafone-Albania", të cilat janë munduar të ofrojnë tarifa sa më konkurruese. Megjithatë, aktiviteti i tyre shpesh është bërë objekt debati të gjerë publik dhe politik. Pas më shumë se dy vjetësh negociata, qeveria ratifikon kontratën me turqit e "Çalik & Turk Telekom", duke hapur përfundimisht dritën jeshile për celularin e tretë, i cili hyri pjesërisht në treg në javën e dytë të muajit mars 2008. Tashmë situata me tarifat telefonike celulare ka ndryshuar, si rrjedhojë e konkurrencës, e cila është bërë tepër e fortë, por që gjithsesi tregu shqiptar për numrin e banorëve nuk të jep mundësi të bësh edhe më shumë. Nga statistikat e ERT-së, rezulton se dy kompanitë, “AMC” dhe "Vodafone", zotërojnë së bashku një treg prej më shumë se 2,3 milionë abonentësh, në një kohë kur popullsia në shifra zyrtare është rreth 3,5 milionë banorë. Në këtë pikë, shoqërisë së katërt celulare i takon t‘i bëjë mirë llogaritë para se të hyjë në treg.

Shifra
3
është numri aktual i kompanive celulare që ushtrojnë aktivitet në vendin tonë

2.3
milionë është numri i përdoruesve të telefonisë celulare deri në fund të vitit 2007

70
për qind është niveli i penetrimit ose i përdoruesve të celularit për 100 banorë

3.5
milionë banorë është popullsia shqiptare në shifra zyrtare brenda territorit të vendit

6 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›