E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimet pa leje, qeveria miraton fondin për dëmshpërblimin e pronarëve

Pronarët e Tiranës, të Shkodrës, Vlorës dhe Elbasanit përfitojnë të parët. Pas kompensimit të pronarëve do të nisë dhënia e lejeve të legalizimit

Eljona Ballhysa

Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme fondin për kompensimin financiar të pronarëve, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje. Në vendimin e qeverisë është bërë e ditur se pronarët që përfitojnë të parët nga ky proces do të jenë ata të qarkut të Tiranës, Vlorës, Shkodrës dhe Elbasanit. Pronarët do të paguhen për çdo metër katror të pronës së tyre që është zënë nga ndërtimet pa leje në bazë të çmimit të tregut, të miratuar nga Parlamenti. Ky proces do të ndiqet nga Agjencia e Pronave në bashkëpunim me Agjencisë e Legalizimeve. Fill pas kompensimit të pronarëve do të fillojë dhe procesi i dhënies së lejeve të legalizimit për pronarët e ndërtimeve pa leje në këto qarqe. Ndërsa Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të merret me të gjithë procesin e kalimit të pronësisë.
Fondi
“Pronarët e pasurive të paluajtshme, për sipërfaqen e zënë nga ndërtimet informale, të shpërblehen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, për sipërfaqen 57 377, 77 m2, tokë truall, me vlerë të përgjithshme 252.074.670.24 lekë. Vlera e përgjithshme për shpërblimin të përballohet nga fondi i kompensimit të pronave, parashikuar nga Ligji nr. 9235, datë 29.7.2004, ‘Për kthimin dhe kompensimin e pronës’, të ndryshuar”, - shkruhet në vendimin e djeshëm të qeverisë. Fondi prej afro 252 milionë lekësh do të përdoret për kompensimin e të gjithë pronave të katër qarqeve të sipërpërmendura, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale. Me këtë vendim qeveria nis procesin e kompensimit të pronarëve, të cilëve u është zënë toka nga ndërtimet pa leje. Ky vendim gjithashtu i hap rrugën dhe zbatimit të ligjit të legalizimeve, sipas të cilit më parë do të bëhet kompensimi dhe më pas legalizimi i objekteve pa leje. Megjithatë, në vendimin e djeshëm të qeverisë nuk janë parashikuar afate për zbatimin e këtij vendimi. Pritet që shumë shpejt të nisë procesi i kompensimit në mënyrë që t’u hapet rruga legalizimeve, proces që është premtuar të përfundojë deri në muajin qershor të vitit të ardhshëm.
Legalizimet
Pas procesit të kompensimit të pronarëve do të nisë dhënia e lejeve të legalizimit për pronarët e objekteve pa leje. Ndërkohë, qeveria ka parashikuar që Zyra Qendrore për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme të fillojë procesin e fshirjes së pronave të pronarëve që do të kompensohen për truallin nga regjistrat dhe të kalojë pronësinë e personave që do të marrin lejen e legalizimit duke ligjëruar në këtë mënyrë objektet e tyre. “Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në përputhje me këtë vendim, të kryejë ndryshimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme, për kalimin e pasurisë së paluajtshme të kompensuar, në pronësi të shtetit. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave me Ndërtime Informale për zbatimin e këtij vendimi”, - shkruhet në vendimin e qeverisë.

6 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›