E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Respektoj vullnetin e partive, dialogu esencial

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u është bashkuar liderëve të Bashkimit Europian dhe ka ripërsëritur thirrjen për një dialog politik në mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri. Kreu i shtetit shqiptar, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij turk, Abdulla Gyl, që nisi dje një vizitë në Shqipëri, ka deklaruar se apeli i tij ka hasur në vesh të shurdhër nga politika. "Këto apele i kam bërë herë pas here, s‘mund të them që kanë qenë frekuente, por janë bërë në kohën dhe në momentin e në vendin e duhur. Ajo që mund të bëjë Presidenti është të inkurajojë dialogun politik, që është një parim i qëndrueshëm e i konsoliduar në vendet demokratike", tha ai. Presidenti më tej theksoi se dy vjet më parë politika shqiptare ka qenë një hap më para, kur zhvilloi një tryezë për ligjin elektoral. Por këtë herë, Topi ka thënë se vullneti politik përkthehet në më pak forca politike. "Sot pa dyshim ka aktorë shumë të rëndësishëm të jetës politike, por aktorët në Parlament natyrisht që janë reduktuar që do të thotë që vullnetet politike mund të konsiderohen tani në pjesën e mazhorancës dhe të opozitës në Parlament", tha Topi. Ai nënvizoi se respekton në mënyrë të qartë vullnetet e partive politike. "I inkurajoj për dialogun. Natyrisht që nuk mund të interferoj. Besoj që klasa politike shqiptare sot në vitin 2009 është koshiente për të zhvilluar dialogun. Nuk do të mungojnë apelet e mia për të inkurajuar klimën e dialogut, e cila është normale, madje është esenciale për jetën normale të institucioneve të një vendi demokratik", deklaroi Presidenti i Republikës. Topi, në lidhje me marrëveshjen e kufijve detarë me Greqinë ka theksuar se do të flasë me dekret pas mbylljes së të gjithë procesit institucional.

Shqipëri-Turqi

Marrëdhëniet ndërshtetërore mes dy vendeve kanë ecur në një hap më tej, dje gjatë ditës së parë të vizitës zyrtare të Presidentit turk, Abdulla Gyl, në Tiranë. Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, ka deklaruar se një pjesë e rëndësishme e këtyre diskutimeve është edhe përfshirja e Shqipërisë në gazsjellësin "Nabuco" që mbështetet nga SHBA e BE, e cila lidh Azerbajxhanin, kalon nga Turqia dhe përfundon në Europën Perëndimore. Presidenti Topi deklaroi në konferencën e shtypit se "Ne vlerësojmë shumë të gjitha prononcimet e personaliteteve më të larta të Turqisë për perspektivën e këtyre marrëdhënieve, ku për perspektivën meriton vëmendje të veçantë gatishmëria për të përfshirë edhe Shqipërinë në infrastrukturën e gazit që do të vinte nga vendet e detit Kaspik dhe të Lindjes së Mesme". Ndërkaq, Presidenti turk, Abdulla Gyl, ka bërë të ditur se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira. Kreu i shtetit turk tha se "i kushtuam rëndësi edhe fuqizimit të marrëdhënieve ekonomike. Fakti që një numër i madh biznesmenësh më shoqërojnë mua këtu tregon dëshirën e tyre për investime të mëtejshme në Shqipëri. Trajtuam edhe çështje të rajonit të Ballkanit dhe edhe për këto çështje ne ndamë të njëjtin mendim. Ne duke bashkëpunuar më mirë me njëri-tjetrin na sigurohet mundësia dhe perspektiva për këtë bashkëpunim që të vazhdojë akoma më shumë në të ardhmen".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›