E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telenovelat e dhunës, si tregues i një politike virtuale

Në kohën kur në TV 21 shfaqej seriali turk për Mehmet Kosovarlinë – i cili së shpejti do ta vizitojë Kosovën - edhe kamerierët shërbenin me përtesë, ndërsa shikimin nuk mund ta shmangnin nga ekrani i televizorit, drejt të cilit njerëzit bëheshin sy e vesh. Në një situatë të tillë edhe vetë u shndërrova në shikues. Pata fatin ta shoh pikërisht atë serinë me CD, në të cilën poshtërohej moralisht Mehmet Kosovarliu. E njëjta situatë m’u përsërit tash, kur i njëjti kamerier harroi të më shërbente tek ia kishte ngulur sytë ekranit të televizorit për të dëgjuar rrëfimin e Nazim Bllacës. Ky është efekti i telenovelave.

Kishte diçka të përbashkët mes Mehmet Kosovarlisë dhe Nazim Bllacës. I pari, hero i dështuar në dashuri, që në emër të mbrojtjes së moralit i kishte shpallur luftë krimit në Turqi, ndërsa i dyti, në emër të patriotizmit të dështuar i kishte shpallur luftë krimit të organizuar në Kosovë. Ndërsa Mehmet Kosovarliu ishte një personazh fiktiv, Nazim Bllaca ishte një personazh faktik. Dhe kjo bënte një dallim të madh, mbase esencial. Prandaj dhe kamerieri kishte të drejtë të na harronte edhe më gjatë. Edhe kur iu ofrua tavolinës sonë nuk mundi të përmbahej nga kureshtja dhe të mos pyeste se çfarë në të vërtetë kishte shikuar dhe dëgjuar, ndërsa dukej ashiqare se nuk u kishte besuar as syve, as veshëve. Nëpërmjet një humori të zi i thashë se ky farë Bllaca ishte një personazh që na duhej neve gazetarëve për të ndërtuar telenovela si ajo për Mehmet Kosovarlinë.

Megjithatë, po të shikohen zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë në Kosovë, paraqitja e Bllacës para mediave në kryeqendër e ka logjikën e vet. Skenarë për telenovela të tilla kishim edhe më parë. Ishte vjedhja e dhomës së sigurisë në Policinë e Kosovës që dëshmoi se krimi është organizuar brenda institucioneve dhe është tepër zor të zhbëhet nga aty. Ishte rasti më flagrant ku dëshmohej se politika tek ne njeh sall privilegjet, por jo edhe përgjegjësinë. U dëshmua se fjala dorëheqje nuk ka kuptim praktik dhe se është fjala më e papërdorshme në fjalorin e gjuhës shqipe. Më vonë patëm rastin kur një qytetar i Debëlldesë, i pakënaqur me arritjen e marrëveshjes ndërshtetërore të përcaktimit të vijës së demarkacionit, doli para kamerave televizive dhe shkuli gurin e kufirit. Policia jonë nuk reagoi. Ajo nuk reagoi as kur një qytetar tjetër u shfaq me kallash në dorë dhe tha se po priste ushtarët maqedonas për t’i vrarë, nëse qëllon që ata t’i afrohen vijës së kufirit. Aktivistët e lëvizjes “Vetëvendosje” shkulën nga shtiza flamurin shtetëror dhe vendosën atë kombëtar, përkatësisht flamurin shtetëror të Shqipërisë, për të shpallur në mënyrë simbolike aneksimin e Kosovës. As tash nuk reagoi policia. Logjikisht, përse policia duhej të bënte përjashtim dhe të reagonte në rastin e Bllacës? Aq më tepër kur Bllaca kishte në dorë sall një celular dhe pas i shkonte një grup gazetarësh. Fabula thotë se luani ishte zemëruar nga miu që i kishte kaluar nëpër mustaqe jo pse i kishte bërë ndonjë plagë, por pse miu mund t’i bënte udhë mustaqet e tij. E udha për t’u shfaqur Bllaca moti është bërë. A mund ta ndalim këtë udhë me një polici, prokurori dhe gjyqësi çfarë është kjo e jona? Sigurisht, jo.

A mund të kemi një zë më të arsyeshëm në Parlamentin e Kosovës, ku editohen CD të tilla për telenovela? Sigurisht, jo. Është e vërtetë se krimi ka ndodhur dhe si i tillë nuk mund të vjetrohet. Të gjithë ata që i kanë duart e përgjakura mashtrohen se një ditë nuk do të zbulohen. Sepse, nëse nuk do të flasë Bllaca, ose ndonjë i ngjashëm me të, do të flasë kallami. Njësoj është e vërtetë se dheu shpesh mbulon të vërtetat, por ama ato janë të vërteta minore karshi atyre që i zbulon kallami. Megjithatë të vërtetat nuk zbulohen nëpërmjet telenovelave, përkundrazi. Telenovelat janë shkumë sapuni, asgjë më shumë. Duart e përgjakura dhe të ndotura duhet prangosur, e jo të lahen me sapun.

 

 

 

 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›