E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksportimi i pisllëkut si finale e instalimt të modelit “Rama”

Papastërtia ka kapluar mendjen e kryetarit të PS-së dhe të opozitës shqiptare. Në vijim të një iteri anormal e shoqëror të papastërtisë së tij morale, që pasi ka bërë pis institucionin e martesës, të familjes, shenjtërinë e fëmijëve si dhe paprekshmërinë e gruas, Edi Rama me një inskenim të ulët kërkoi që edhe qendrën e Tiranës ta mbushë me plehra. Ai nisi me urdhër të prerë garnizonin e bashkisë Tiranë të mbushin në plehrat e Sharrës dy kamionë me plehra që të kishte gati për protestën e djeshme. Është e papranueshme që një kryebashkiak të japë këtë shembull malukati, të një të paedukati ekzemplar. Edi Rama është më i gjatë sesa me edukatë, këtë e kishim theksuar edhe më parë, por që të mbërrihej deri aty sa të urdhërohej me gojën e kunatit e Dash Pezës (Ilir Mati) që të merreshin mbeturina nga Sharra dhe të silleshin përpara kryeministrisë, por veprimi është jo vetëm i papranueshëm, por edhe i dënueshëm si moralisht ashtu edhe penalisht. Se ka mundësi që Edi Rama merr plehra dhe i bie në Tiranë kur qytetarët e bashkisë paguajnë një taksë të kripur për gjelbërimin.
Mirëpo vetëm në mandatin e tretë (po i harrojmë dy mandatet e tjera) të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ka qenë me të vërtetë një “mandatë zhvatjeje” për kryeqytetasit, të cilëve në vend të përmirësimit të jetesës, nuk ka bërë gjë tjetër veçse ua ka rënduar atë me taksa nga më të çuditshmet dhe ç’është më e keqja duke i rritur nga viti në vit. Madje siç ndodhi edhe dje, ai kërkon të luajë rolin e shenjtorit, duke u shprehur keqardhje qytetarëve për gjendjen e rëndë ekonomike të tyre, për të cilën ai ka qenë një ndër kontribuuesit kryesor.
Xhihadisti i bashkisë Edvin Rama, vetëm dy ditë më parë duke bredhur nëpër zona dhe banesa të Tiranës, ulërinte me gabzherr të hapur se njerëzit janë të varfër, se bizneset e vogla taksohen shumë, por nga ana tjetër harron sesi, në qetësi dhe fshehtësi pa iu dridhur qerpiku fare, ka miratuar rritjen në 400 përqind të taksave vendore, duke i varfëruar dhe rrënuar dita-ditës këta qytetarë dhe bizneset e tyre. Ky është Edvin Rama, që ka ndjekur në mënyrë tejet të paprecedentë politikën e rritjes në mënyrë progresive të taksave, deri në katërfishim të tyre, brenda një periudhe 2-vjeçare. Ndërkaq vetëm për vitin 2007-2009, gjatë të cilave kryebashkiaku socialist ka ngritur në stratosferë taksat, të cilat ai dhe vartësit e tij të manipuluar pretendojnë t’i cilësojnë “tarifa”, ndaj qytetarëve dhe biznesit të vogël. Sheiku Rama vijon paturpësisht të mohojë akuzat e ngritura ndaj tij për rritjen
e lartë të taksave gjatë 4-5 viteve të fundit, të cilat “gazeta 55” ia ka parashtruar edhe me fakte konkrete..

Pyetje pa përgjigje

Ai nuk jep përgjigje sesi u dyfishuan, në taksa-tarifë për pastrimin nga 2100 lekë në 2500 lekë. Gjatë daljeve të tij për mediet poshtë këmbëve të Skënderbeut me aradhën e punonjësve të bashkisë, ai ka deklaruar se ka rritur tarifat e shërbimeve dhe jo taksat, pasi këto shërbime nevojiten për qytetarët. Kryebashkiaku i Tiranës vazhdon të jetë mashtruesi më i madh që mund të jetë parë në politikën shqiptare. Tirana është bërë si Kabuli, për nga papastërtia, për ndërtesa pa kriter urbanistik, për nga mos-pasja e hapësirave të gjelbra, nga mos-pasja e çerdheve adekuate për fëmijët e Tiranës, nga-mos-pasja e bibliotekave adekuate për nxënësit e Tiranës, nga mospasja e një jete kulturore, që vetëm Kandahari nuk e ka. Pastaj del e thotë se bashkia Tiranë është një kryeqytet model, po është model por ka si model Kabulin dhe vetëm ai është sheiku i kësaj bashkie që pi gjakun dhe lekën e qytetarëve. Slogani i Evdin Kristaq Ramës “mashtro sa të duash se nuk e kontrollon kush atë çfarë thua”, mesa duket është bërë mënyrë jetese për të. Ky njeri vazhdon të gënjeje në mënyrë të paskrupullt qytetarët e Tiranës, duke ju thënë se nuk ka ngritur taksat. Bashkia e Tiranës vjel taksë gjelbërimi nga qytetarët e thjeshtë për vitin 2009, 400 lekë të reja nga 200 lekë që vilte në 2007 duke e ngritur për dy vjet 100 për qind këtë taksë. Gjithashtu, bashkia e Tiranës vjel nga qytetarët e saj për taksën e pastrimit 4500 lekë të rinj për vitin 2009 nga 2100 lekë që vilte në vitin 2007, duke e ngritur këtë taksë në nivelin e 115 përqindjeve në krahasim me dy vjet më parë. Ndërkohë që kryebashkiaku i Tiranës për vitin 2010 ka parashikuar edhe një ngritje prej 25 deri në 30 për qind të taksave të sipërpërmendura.

E vërteta lakuriqe

Ndërkohë që e njëjta rritje drastike e taksave është bërë edhe për biznesin e vogël, të madh dhe atë VIP, taksa që masakrojnë dhe dëmtojnë rëndë zhvillimin e biznesit.
Një taksë që pushteti vendor vjel nga qytetarët në të gjithë vendin, por që kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama ka këmbëngulur që të jetë sa më e lartë nga viti në vit për kryeqytetasit, është dhe taksa e pastrimit. Mjafton një krahasim i thjeshtë për 4 viteve e fundit, të cilin vetë Rama nuk ka interes që ta bëjë, dhe kuptohet lehtë se si edhe kjo taksë është dyfishuar e më shumë për të dyja kategoritë, familjarë-biznese. Në vitin 2007 qytetarët paguanin si taksë pastrimi, për të mbushur buxhetin e bashkisë së Ramës, 2 100 lekë, në vitin 2008 kjo taksë u bë 3.600 lekë, në vitin 20009 kjo taksë u rrit në 4. 500 lekë të rinj, ndërsa në vitin 2010 ajo u bë 5.000 lekë. Por Rama, sigurisht që nuk mund të mjaftohej vetëm me ngritjen e kësaj takse në kurriz të familjarëve. E njëjta taktikë u ndoq edhe për biznesin në të gjitha kategoritë e tij.
Ndërsa Kryesocialisti Rama, i cili kërkon të vijë në pushtet me dhunë e me protesta parafabrikate, harron se nga viti 2005 deri në vitin 2010 e ka çuar taksën e gjelbërimit në mbi dyfishin e asaj ekzistuese, të cilën për hir të së vërtetës ai duhet ta kishte cilësuar taksë e betonizimit.
Nëse vitin 2007, një familje paguante 200 lekë të rinj në vit, si taksë gjelbërimi. Në vitin 2008, “vullneti” i Ramës bëri që familjarët të paguanin 300 lekë të rinj taksë gjelbërimi në vit, në vitin 2009, kryebashkiaku Rama e rriti në 400 lekë, ndërsa për vitin 2010, ai e ka parashikuar 500 lekë të rinj. Të njëjtën rritje progresive nga viti në vit për këtë taksë, Rama e ka bërë edhe me biznesin, ku bëjnë pjesë disa aktivitete, si shitja me pakicë, shitja me shumicë, njësitë e prodhimit, njësitë e shërbimit, profesionet e lira, ambulantët, transportet etj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›