Ngjarja, tenton të hidhet nga tarraca e pallatit gruaja me probleme mendore
LIBRAZHD - Një grua tenton t’i japë fund jetës duke vendosur të hidhet nga kati i katërt i një pallati. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në qytetin e Librazhdit. Sipas të dhënave nga policia lokale, 32-vjeçarja me inicialet L. B. ishte ngjitur në pallat dhe kishte dalë në tarracë duke dashur që të hidhej. Menjëherë është njoftuar policia, e cila ka marrë një telefonatë që e njoftonte për ngjarjen që po ndodhte. Ajo ka mbërritur në vendngjarje dhe ka ndërhyrë për të shmangur tragjedinë që mund të ndodhte. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit thanë se janë njoftuar me anë të një telefonate. Ngjarja ka ndodhur në një pallat në vendin e quajtur Posta Librazhd. Menjëherë pas këtij informacioni të marrë, në drejtim të vendngjarjes kanë shkuar shërbimet policore, të cilat kanë ndërhyrë. Pas ndërhyrjes së forcave të policisë Komisariatit Policisë Librazhd si dhe pas disa negociatave, u bë e mundur parandalimi i kësaj ngjarjeje aksidentale, si dhe evitimi i hedhjes nga pallati i 32-vjeçares. Nga të dhënat e mbledhura nga uniformat blu është mësuar se gruaja që ka tentuar të hidhet nga pallati është me probleme mendore dhe këtë akt e ka marrë nga ky fakt. Gjatë hetimeve policia ka marrë në pyetje dhe familjarët e saj, të cilët kanë dhënë versionin e mësipërm. Gjithashtu janë mbledhur dhe dëshmitë e banorëve të pallatit ku ka ndodhur ngjarja. Këta të fundit mësohet të kenë thënë se e kishin parë gruan të ngjitej në pallat, por nuk kishin menduar se ajo do të dilte në tarracë dhe të bënte tentativë për t’u hedhur.
Ky është rasti i pestë brenda një muaji i përpjekjeve për flijime publike në Tiranë dhe rrethe, ku një prej tyre gjeti vdekjen duke u hedhur nga lartësia e një pallati, ndërtim i ri, në Elbasan.
Azilantët në Shqipëri, shumica janë turq
TIRANË - Turqit mbajnë vendin e parë për kërkesa të azilantëve në Shqipëri. Gjysma e aplikimeve, nga 1103 azilantë, janë shtetas turq, të cilët janë punësuar në Shqipëri. Pas tyre vijnë me përqindje shumë më të ulët kinezet, me 9 për qind, amerikanët me 7 për qind, të ndjekur nga italianët, grekët dhe në fund me 3 për qind janë shtetasit kosovarë, të pajisur me leje qëndrimi në Shqipëri nga autoritetet e Ministrisë së Brendshme. Drejtoria e Imigrimit sqaron se qëllimi i marrjes së azilit në vendin tonë nga shtetasit e huaj, në 79 për qind të rasteve janë arsyet e punësimit, 9 për qind janë arsyet fetare dhe 7 për qind e tyre marrin leje qëndrimi për arsye të ndryshme, përfshirë edhe bashkimin familjar. Leja e qëndrimit për të gjithë shtetasit e huaj jepet nga Drejtoria e Imigrimit, në bazë të kritereve të posaçme dhe afati minimal është nga 3 muaj deri në 2 vjet. Në tre muajt e parë të këtij viti, në Shqipëri janë paraqitur 34 azilantë, ndërsa pjesa tjetër kanë pasur qëllim kryesor të qëndrimit të tyre afatgjatë, punësimin.
Gazeta britanike: “Shqiptarët të vrasin për 500 sterlina”
LONDËR - Një shkrim skandaloz është botuar nga gazeta britanike "People", që u referohet shqiptarëve, me titull "Gangsterët që vrasin për 500 sterlina". Shkrimi u referohet thënieve të një krimineli të njohur londinez, të quajtur Dejv Kërtni. Ai është arrestuar dhe është marrë në pyetje nga policia. Gjatë deklarimeve të tij ai ka treguar se kishte hequr dorë nga vrasësit e shtrenjtë pasi shqiptarët merrnin shumë pak dhe e çonin punën gjithmonë në fund. Kërtni, sipas gazetës, ka thënë se nëse të vrisje me pagesë një person, dikur kushtonte 15 mijë sterlina, tashmë mund të gjendet lehtë një shqiptar nga Kosova që ta kryen punën me 500 sterlina. Ndërsa pak ditë më parë, ambasadori shqiptar në Londër, Zef Mazi, gjatë një takimi me të rinj, kritikoi ashpër mediat britanike, që sipas tij, në asnjë rast nuk kanë shkruar për shqiptarët e suksesshëm në Britaninë e Madhe.
27 Prill 2010