E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teliti: Del lista e plotë e emrave të qytetarëve



Për zhvillimin e rregullt të procesit të kartave të identitetit, pak ditë më parë u përcaktua lista përfundimtare me emrat e qytetarëve. Drejtuesi i zyrës së Gjendjes Civile, Aramand Teliti, deklaroi se është përpiluar lista e plotë me emrat e qytetarëve, ku janë shmangur të gjithë emrat dublikatë. Njëkohësisht ka dalë dhe regjistri i plotë me numrin e popullsisë së vendit, ku numërohen rreth 4 milionë e 300 persona. Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, deklaroi se regjistri është i pastruar nga dublikatat. Sipas të dhënave paraprake, në zgjedhjet e ardhshme do të marrin pjesë rreth 3 milionë e 133 mijë e 248 zgjedhës. Mirëpo deklaratat e kryetarëve të Njësive bashkiake pohojnë të kundërtën. Aktualisht, në të gjitha njësitë vendore të kryeqytetit ka ende probleme me dublikatat e emrave, çka pengon zhvillimin e një procesi të rregullt për aplikimin. Kështu, njësitë bashkiake kanë identifikuar çdo banor që nuk është pajisur me pasaportë dhe do t’u dorëzohet formulari. Më pas ata do të njoftohen nga njësia përkatëse për ta kryer aplikimin brenda këtij muaji. Burime nga njësitë vendore pohojnë se numri i qytetarëve që nuk disponojnë pasaporta është i lartë dhe pajisja me letërnjoftim është e domosdoshme. Ministria e Brendshme sqaroi se statistikat tregojnë se aktualisht në vendin tonë ka rreth 730 mijë persona që nuk disponojnë pasaporta. Autoritetet e konsiderojnë një shifër tepër të lartë të qytetarëve që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të pajisen me pasaportë. Ndërkohë, në zyrat e gjendjeve civile pranë minibashkive në Tiranë, ende nuk ka filluar shpërndarja e kartave të identitetit.

18 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›