E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendjet Civile, listat e zgjedhësve mbushen me të vdekur

Skandali, persona 200-vjeçarë figurojnë në listat e zgjedhësve. Ministria e Brendshme, asnjë zgjidhje procedurale për problemin e krijuar

Emanuela Sako

Të vdekurit janë bërë pengesë për zhvillimin e procesit të regjistrimit të emrave të qytetarëve në njësitë bashkiake të kryeqytetit. Por jo vetëm kaq, ky problem ekziston në të gjitha gjendjet civile në vend. Alarmi po jepet vetëm tani që na ndajnë pak ditë nga përgatitja e listës përfundimtare për zgjedhjet që do të mbahen në qershor të këtij viti. Punonjësit e gjendjeve civile në njësitë bashkiake po hasen me probleme të këtij lloji, për të cilat nuk dinë t’u japin zgjidhje. Të kontaktuar dje nga gazeta “Albania” kryetarët e njësive bashkiake shprehen se ende nuk mund të flasin për shifra konkrete, por kanë konstatuar një numër të konsiderueshëm të vdekurish në këto lista. Ata shprehen se kur ky problem ekziston në kryeqytet, në qytetet e tjera mund të jetë edhe më i madh për shkak se procesi për kartat e identitetit po i nxjerr në pah të gjitha këto defekte nëpër listat e zgjedhësve.
Procedurat
Të gjitha njësitë bashkiake të kryeqytetit pohojnë se kanë probleme me çregjistrimin e emrave të të vdekurve, të cilat duhet të deklarohen nga familjarët. Sipas procedurave ligjore, në rast se një person vdes, familjarët deklarojnë vdekjen e të afërmit dhe bëjnë çregjistrimin pranë njësisë përkatëse. Ndërsa njësia bashkiake nxjerr nga listat e qytetarëve emrin e personit. Afati i përcaktuar me ligj për kryerjen e çregjistrimit të të vdekurit është 10 ditë nga dita e vdekjes. Në të kundërt, çregjistrimi bëhet me vendim gjyqësor, pasi askush nga punonjësit e Gjendjes Civile nuk e ka të drejtën e çregjistrimit. Ndërsa për emrat e personave që kanë dekada që kanë vdekur dhe familjarët nuk kanë bërë çregjistrimin, do të jetë rregullorja e Ministrisë së Brendshme që duhet të shprehet. Me sa duket, Ministria nuk kishte menduar për këtë kategori personash që sot duhet të ishin 200 vjeç. Sipas kryetarëve, arsyeja e identifikimit të tyre si persona të vdekur është mosha e tyre, që i kalon të 150-at apo 200 vjeç.
Çështja
Një pjesë e problemeve të ndryshme me regjistrimin e personave janë bërë që në regjistrimin e popullsisë në njësitë bashkiake në dy fazat e para dhe kanë ndodhur për arsye teknike. Ndërsa tani që do të hidhen në Regjistrin Elektronik dalin në dukje të gjitha problemet. Duket se problemet me emrat e qytetarëve do të jenë të pranishme deri në fund të procesit, pasi persona të vdekur, dublime emrash, apo persona që duan të çregjistrohen për një vendndodhje të re do të ketë deri në fund të procesit edhe më pas tij.

Listat e zgjedhësve, problem kryerja e procedurave brenda afateve
Kartat e identitetit janë të lidhura ngushtë me zhvillimin e procesit zgjedhor dhe përfundimin e listave të zgjedhësve. Kryetarët e minibashkive në Tiranë shprehen se nuk kanë kohë për t’i realizuar të gjitha procedurat brenda afateve ligjore përsa u përket listave të zgjedhësve. Pak ditë më parë, Ilir Kokona, kryetari i Njësisë Nr. 3, u shpreh se KQZ-ja duhet të veprojë shpejt, pasi listat paraprake të zgjedhësve duhet të shpallen më 1 mars, edhe pse afati i parë ka kaluar, pasi ato duhet të shpalleshin më 29 janar, në bazë të Kodit Zgjedhor. Për zgjedhësit që nuk kanë një adresë të saktë të vendbanimit të tyre do të ngrihen qendra të posaçme votimi. Një çështje tjetër që kërkon zgjidhje është dhe kategoria e personave me aftësi të kufizuar dhe të moshuarit, të cilët nuk kanë pasaportë, por që duhet të aplikojnë brenda datës 30 mars për karta identiteti.
Procesi për shpërndarjen e kartave të identitetit ende nuk ka filluar në njësitë bashkiake, megjithëse printimi i tyre ka nisur rreth tri javë më parë. Ndërkohë, qytetarët vazhdojnë të aplikojnë, ndërsa ata që kanë përfunduar procedurat e aplikimit drejtohen pranë njësive për të pyetur se kur do t’i marrin kartat e identitetit. Një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë hasur në problemin e dublimit të emrave.

Pengesë për procesin, dublimet e emrave dhe hyrje-daljet e reja

Dublimet e emrave dhe regjistrimet apo çregjistrimet e qytetarëve që duan të regjistrohen apo të largohen në një njësi, janë bërë një pengesë për zhvillimin e procesit të regjistrimit të listës së emrave. Kjo pasi me një shifër të llogaritur me përafërsi, çdo njësi bashkiake ka probleme me emrat e 1000 personave. Këtu mund të përfshihen personat e vdekur, personat që kanë probleme me dublimet e emrave apo me personat që largohen nga njësia. Vetëm në Njësinë Bashkiake Nr. 1 janë rreth 556 banorë që nuk u figurojnë emrat në lista. Që në fillim të procesit ka pasur rreth 250 dublime, aktualisht ka 25 të tilla. Kryetarët e njësive shprehen se dublime me emrat e qytetarëve ndodhin çdo ditë. Sipas tyre, kjo çështje është e pashmangshme dhe çdo ditë në një njësi mund të paraqiten deri në 5 raste të tilla.

18 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›