E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tavo: LSI do të trefishojë rezultatin

Ish-deputeti socialist Vangjel Tavo, sot përfaqësues i LSI-së, hedh poshtë zërat për pakënaqësi të tij dhe një konflikt me ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili. Nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Tavo, duke marrë pjesë në një takim të LRI-së në qytetin e Gjirokastrës, duke iu referuar debatit të hapur prej tij gjatë muajit gusht, ka gjetur rastin që mohojë të gjitha zërat për një përçarje brenda LSI-së. Tavo u shpreh se jo vetëm që s’ka qejfmbetje apo përçarje brenda LSI-së, por u shpreh i sigurt për 3-fishim të elektoratit deri në vitin 2013. “Ky takim është prova më e fortë kundër deklaratave dashakeqe për përçarje të hamendësuar brenda radhëve tona. Ky entuziazëm tregon më së miri se ne jemi më të fortë e më të bashkuar se kurrë. Vendi ndodhet përpara sfidave të vështira. LRI dhe LSI do të jenë promotorë të të gjitha reformave, duke filluar nga ajo zgjedhore. Në vitin 2013 në qarkun e Gjirokastrës LSI do të trefishojë mbështetjen në komunitet, ndaj e ritheksoj se ne nuk i trembemi asnjë sfide apo reforme”, - theksoi Tavo. Në takim ka qenë e pranishme dhe bashkëshortja e kreut të partisë, Monika Kryemadhi si dhe kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›