Teliti:Dublimet e emrave në Regjistrin Kombëtar janë pastruar
Pastrohen dublimet e emrave nga Regjistri Kombëtar. Lajmi konfirmohet nga kreu i zyrave të Gjedjes Civile Armad Teliti, i cili ka deklaruar se për herë të parë Shqipëria ka një regjistër të pastër. Teliti raporton se gjatë këtij procesi janë pastruar në system mbi 5,800 dublime që i përkasin së njëjtës zyrë, si dhe mbi 45.000 të tilla të evidentuara ndërmjet zyrave. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, bën me dije se lista e personave të cilët janë pastruar po i dërgohet çdo zyre të Gjendjes Civile për të kryer hapin final të pastrimit të dublimeve, atë të çregjistrimit nga regjistrat themeltarë. Të dhënat përfundimtare të Regjistrit Kombëtar të Gjendjeve Civile nxjerrin se , numri total i popullsisë është rreth 4 milion e 249 mijë shtetas dhe numri i zgjedhësve është përafërsisht 3 milion e 133 mijë. Në këtë komunikim me mediat, Teliti ka njoftuar ndërkaq se, numri total i popullsisë, i ndarë sipas qarqeve dhe Njësive të Qeverisjes Vendore i është dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe është përgatitur lista e zgjedhësve dhe për çdo Njësi e Qeverisjes Vendore.