Ndërhynë për uljen e dënimit të burgosurit, prangosen tre persona
Drejtoria e krimit ekonomik në operacionin e koduar "Ndërmjetësimi" ka arrestuar tre persona. Masat e sigurimit arrest shtëpie janë dhënë për shtetasit Aleksandër Plepi, 35 vjeç, prokuror në Prokurorinë e Tiranës, Arben Veliko, 42 vjeç lindur e banues në Vlorë si dhe Panajot Dhiamandi, 33-vjeç, lindur e banues në Tiranë. Tre shtetasit akuzohen për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Nga hetimet vërtetohet se Arben Veliko dhe Panajot Dhiamandi kanë ndërmjetësuar nëpërmjet prokurorit Aleksandër Plepi, për të ulur dënimin e të arrestuarit Besnik Braka. Braka akuzohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Veliko e Dhiamandi i kanë ofruar prokurorit një shumë të konsiderueshme parash që të ndërmjetësonte në gjykatë që t'i jepej një dënim më i ulët Besnik Brakës.