E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ Berisha flet me lopët si dekor: Nuk ha asnjë ushqim importi (VIDEO)

berisha lopeKryeministri Berisha ka takuar disa fermerë në Shijak. Në takimin e organizuar në një fermë, kamera që merr me vete Berisha, jepte si sfond herë fermerët që lavdëronin Berishën për punën e bërë, duke shtuar edhe ndonjë kritikë të vogël, dhe herë lopët që gjendeshin në stallën ngjitur me ambientin ku mbahej takimi.

Për ne, për qeverinë time, për PD-në zhvillimi i qëndrueshëm rural, zhvillimi i bujqësisë dhe i të gjithë sektorëve të saj mbeten përparësia absolute.

Në projektin tonë Shqipëria e zhvilluar, ne besojmë që ky projekt kalon në zhvillimin rural dhe në zhvillimin e fshatit shqiptar. Ndaj dhe ne në një nga aktet më madhore për të dëshmuar këtë interes, ne dyfishuam pensionet në fshat dhe kemi angazhuar më shumë se 60 përqind të të gjitha investimeve në Shqipërinë rurale sepse ajo e tëra ishte Shqipëria e baltës, ka thënë Berisha ndërkohë gjatë fjalës së tij.

Ai nuk ka lënë pa sulmuar kreun e opozitës, Edi Rama, pse ky i fundit ka propozuar heqjen e TVSH-së për disa produkte bujqësore, si qumështi, gruri dhe milli. Për Berishën kjo nuk do të ndodhë, pasi dëmton konkurrencën.

Ne bëmë edhe një gjë tjetër të madhe. Ne hoqëm çdo lloj takse apo tarife për çdo lloj materiali importi që do ju duhet për suksesin e fermave tuaja. Unë ju garantoj se ky vendim mund të jetë ndofta i vetmi që ndonjë vend ka ndërmarrë. Alternativa mavi thotë se do të heqë TVSH-në për prodhimet e qumështit. Por sot ne prodhojmë 343 litra qumësht për frymë dhe në qoftë se i heqim TVSH-në qumështit që vjen nga vende të tjera, natyrisht, konkurrenca bëhet shumë e pandershme. Ne përpiqemi ti ndihmojmë fermerët tanë, por nuk kemi buxhet që tu japim 3 euro për lopë, çdo ditë. Ndaj ne heqim të gjitha detyrimet fiskale e të tjera. Kështu që ideja mavi për të hequr TVSH-në për qumështin, grurin, miellin është sesi ti rrënosh fermerët tanë në fushë, në stallë, në arë. Kjo nuk do të ndodhë. Nuk kanë shans. Një ditë vizitova fabrikën e përpunimit të peshkut Koral, ku thashë: ti lëmë ata me ngjalat, ne të vazhdojmë projektin tonë, tha Berisha.

Berisha deklaroi në këtë takim se ai konsumon vetëm prodhime vendi.

Të themi realitetin, ushqimet shqiptare janë pakrahasimisht më të shijshme se të çdo vendi tjetër. Kjo është e vërteta. Po të garantoj se unë personalisht nuk konsumoj, ushqim importi, produkte importi, vetëm po u fut në mënyrë klandestine, sepse ndryshe nuk hyjnë ndonjëherë në shtëpinë time. Së bashku me ministrinë e Bujqësisë duhet të pranojmë se kjo është një nismë që duhet ta kishim ndërmarrë me kohë, por do ta ndërmarrim sa më shpejt, pasi  ky është interesi më i mirë i qytetarëve i konsumatorëve, të cilët kanë rastin të konsumojnë ushqimet të freskëta të mrekullueshme. Përsa u përket analistëve, bota e tyre është kafeneja, është Rogneri, është Sheratoni. Ke parë ti të flasin një fjalë për Shqipërinë rurale, të flasin një fjalë për njerëzit e punës, të djersës, e kanë të vështirë, sepse e tërë bota e tyre është tek trekëndëshi, Rogner-Sheraton dhe ndonjë lokal tjetër. Por ata fjalët e tyre dhe punët e tyre ne punët tona. Të dy palët i urojnë suksese njëri -tjetrit dhe kaq, tha Berisha./b.l

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›