TemA TV/ Fullani përgënjeshtron Berishën: Rritja ekonomike, 1.6%. Spati rritje të punësimit (VIDEO)
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka përgënjeshtruar kryeministrin Berisha në lidhje me rritjen ekonomike dhe punësimin.
Ndryshe nga qeveria, e cila parashikon rritje ekonomike 4.3%, Fullani ka thënë në Komisionin e ekonomisë se ajo pritet që të jetë vetëm 1.6%. Ndërkohë, Fullani ka thënë se punësimi nuk është rritur gjatë vitit që lamë pas, ndryshe nga qeveria, e cila pretendon se ka hapur më shumë se 50 mijë vende pune.
Viti 2012 ka qenë një vit i vështirë ekonomik dhe moti i keq reflektoi në uljen e eksporteve. Gjatë këtij viti ka pasur rritje të vogël të pagave, gjë që ka reflektuar edhe në rritje të çmimeve. Rritja ekonomike ka qenë e ngadaltë, pati ulje të konsumit dhe të investimeve. Kjo situatë do të vijojë edhe gjatë këtij viti dhe papunësia do të jetë e njëjtë si vitin e kaluar në nivelin 13.3%. Deficiti buxhetor u ul si pasojë e uljes së shpenzimeve. Janë rritur kreditë me probleme nga 18 deri në 22%, theksoi Fullani gjatë fjalës së tij.
Bode ka pretenduar për një rritje ekonomike prej 4.3 %, BSH deklaron një rritje vetëm 1.6 %. Banka e Shqipërisë thotë që punësimi nuk është rritur, kurse qeveria pretendon të kundërtën, janë shprehur deputetët socialistë, pas fjalë së Fullanit./b.l